Epidemi në Gostivar: Mbi 1.000 pacientë kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të ngjashme
Epidemi në Gostivar: Mbi 1.000 pacientë kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të ngjashme
Mbi 1.000 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë tri-katër ditëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar.
Sipas njoftimit të spitalit, shumica e pacientëve kanë pasur simptoma të ngjashme, si të vjella, diarre, dhimbje stomaku, temperaturë dhe plogështi. Numri më i madh i tyre është trajtuar në Repartin Infektiv, Repartin e Fëmijëve dhe Njësinë e Urgjencës.
“Gjatë këtyre ditëve, në Spitalin e Përgjithshëm ‘Dr. Ferid Murad’ janë paraqitur rreth 1.000 deri në 1.200 pacientë me këto simptoma. Të gjithëve u është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore dhe terapia përkatëse. Ky numër është dukshëm më i lartë se numri i zakonshëm i pacientëve në institucionin tonë”, njoftojnë nga spitali.
Nga institucioni shëndetësor bëjnë të ditur se është përforcuar personeli mjekësor në repartet ku është regjistruar fluks më i madh pacientësh.
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se uji është ndotur rëndë dhe paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftuan se ekzistojnë dyshime se veprimet e Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi” dhe të Komunës së Gostivarit mund të kenë rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Sipas policisë, për të rritur presionin në rrjetin e ujësjellësit të qytetit, në mënyrë të paligjshme janë vendosur pompa në një shtrat me ujëra të zeza, të cilat më pas dyshohet se kanë depërtuar në sistemin që furnizon qytetin.