Edhe tre ditë të tjera pritet të vazhdojë mjegulla, Aeroporti i Shkupit mbetet bosh
Mjegulla e dendur ka paralizuar trafikun ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, duke detyruar anulimin e të gjitha fluturimeve të planifikuara për orët e para të mëngjesit. Për pasojë, nuk janë realizuar linjat e “Wizz Air” drejt Dortmundit, Brukselit, Parisit, Lubjanës, Bazelit, Memingenit dhe Venecias, ndërsa janë anuluar edhe fluturimi i “Croatia Airlines” për në Zagreb si dhe ai i “Turkish Airlines” për në Stamboll.
Në këto kushte, aeroporti ka mbetur pa asnjë avion në pistë. Gjashtë avionët e “Wizz Air”, të cilët janë të stacionuar në bazën e Shkupit, nuk kanë arritur të ulen gjatë ditës së djeshme për shkak të kushteve ekstreme të motit. Ata janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative në Prishtinë, Sofje, Tiranë, Selanik dhe Ohër.
Sot në mëngjes, ekuipazhet e “Wizz Air” janë nisur drejt këtyre aeroporteve, me qëllim që prej andej të realizojnë disa nga fluturimet e anuluara, duke transportuar pasagjerët drejt Shkupit.
Situata ka qenë e vështirë edhe gjatë ditës së djeshme, kur për shkak të mjegullës shumë të dendur, vetëm tre avionë kanë arritur të ulen në Aeroportin e Shkupit. Të njëjtët janë nisur pasdite, pasi kushtet meteorologjike janë përmirësuar lehtë, ndërsa fluturimet e tjera janë anuluar ose devijuar.
Sipas të dhënave zyrtare, dukshmëria ka rënë nën 100 metra, nivel që është shumë poshtë kufirit minimal të lejuar për ulje instrumentale në kategorinë CAT I, e cila aplikohet aktualisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
Nga drejtuesit e aeroportit bëjnë të ditur se infrastruktura dhe stafi janë në gatishmëri të plotë, pavarësisht kushteve të pafavorshme të motit. Ata theksojnë se aeroporti mbetet i hapur dhe i përgatitur për të pranuar dhe shërbyer fluturimet sapo kushtet të lejojnë.
Pasagjerët informohen se të gjitha ndryshimet në orarin e fluturimeve përditësohen në kohë reale në faqen zyrtare të aeroportit, ndërsa sporteli i informacionit dhe linja telefonike funksionojnë pa ndërprerje për çdo pyetje lidhur me statusin e fluturimeve.
Ndërkohë, sipas parashikimeve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, në Shkup edhe gjatë tre ditëve të ardhshme pritet mot pjesërisht me vranësira dhe paraqitje të mjegullës, çka mund të ndikojë sërish në trafikun ajror.