Edhe ASH-Taravari konteston “Safe City” në Kushtetuese, vlerësojnë se ligjet duhen abroguar për shkak të zbatimit selektiv
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, dorëzoi ankimin në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin përmes të cilit hyn në fuqi sistemi “Safe City”.
Paraprakisht, ankimim në Kushtetuese për të njëjtën gjë ka dorëzuar edhe Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, i cili gjatë deponimit, duke iu referuar paralajmërimit të ASH-Taravarit, tha se “çështjet serioze nuk duhet të lihen në duart e njerëzve joseriozë”. Për këtë sot u përgjigj deputeti i ASH-Taravari, Halil Snopçe.
“Nuk është me rëndësi me rëndësi kush e dorëzon ankimimin, me rëndësi është që të shfuqizohet për shkak se mendojmë se është në kundërshtim me kushtetutën. Neni 9 i Kushtetutës garanton barazi të të gjithë qytetarëve. Aplikimi në vetëm 3 qytete shpërndarje është jo e barabartë, jo uniforme. Tani për deklaratën e Ziadin Selës nuk dëshiroj të komentoj por normalisht, serioziteti shihet në Parlament, në deklaratën e foltores së Parlamentit deputeti Rijad Shaqiri paralajmëroi se ne do të çojmë ankesë. Në ditën kur u votua ligji deputeti Shaqiri paralajmëroi, Ziadin Sela nuk ishte në Parlament”, tha Halil Snopçe, deputet ASH-Taravari.