Dyshime për spiunazh në Kabinetin e presidentes
Sipas portalit maqedonas “Sloboden Peçat”, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon parahetim për dyshime se nga sistemi kompjuterik i Kabinetit të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova janë nxjerrë të dhëna të besueshme.
Rasti, sipas portalit, është hapur pas një kallëzimi anonim penal, të nënshkruar nga “një grup të punësuarish në MPB”. Në kallëzim pretendohet se një IT-administrator në Kabinetin e presidentes ka kopjuar, enkriptuar dhe ruajtur të dhëna të besueshme, me dyshime se ato mund të kenë përfunduar te shërbime të huaja të inteligjencës.
Prokuroria ka konfirmuar për “Sloboden Peçat” se parahetimi po zhvillohet që nga dhjetori i vitit të kaluar, pas alarmit të Sektorit për Krim Kompjuterik në MPB. Janë dhënë urdhra për kontroll të sistemeve kompjuterike, ekstraktim të të dhënave nga kompjuterë dhe laptopë, si dhe analizë të telefonave celularë të sekuestruar.
Megjithatë, Prokuroria thotë se ende nuk ka marrë njoftim nga MPB për rezultatet e analizave dhe provat e mbledhura. Sipas “Sloboden Peçat”, dyshimet shtohen edhe nga fakti se ende nuk janë siguruar kopje të pamjeve nga kamerat e sigurisë, ndonëse ato janë kërkuar nga Kabineti i presidentes, nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta dhe nga MPB-ja.
Nga MPB thonë se janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe telefona celularë, janë marrë në bisedë persona të punësuar në Kabinetin e presidentes dhe se analiza e provave elektronike është në vijim.
Kabineti i presidentes, sipas “Sloboden Peçat”, nuk ka kthyer përgjigje lidhur me rastin./VOXAL/