Donald Trump: “NATO është rrugë njëkahëshe, s’kemi nevojë për ta”
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të martën në një postim në Truth Social se nuk është i befasuar nga veprimi i aleatëve të NATO-s për të mos e ndihmuar SHBA-në në hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Ai ka deklaruar se gjithmonë e ka konsideruar NATO-n “si një rrugë njëkahëshe”, teksa ka shtuar se nuk ka më nevojë për ndihmën e aleancës.
“Për shkak të faktit se kemi pasur një sukses kaq të madh ushtarak, ne nuk ‘kemi më nevojë’, apo dëshirë për ndihmën e vendeve të NATO-s — Ne kurrë nuk e kemi pasur! Po ashtu, Japonia, Australia apo Koreja e Jugut”, ka shkruar ai.
Postimi ka ardhur pasi Trumpi kishte kërkuar ndihmën e aleatëve të NATO-s për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe pasi shumë prej vendeve kryesore e hodhën poshtë këtë si mundësi.
E gjatë një takimi në Zyrën Ovale të martën, Trumpi ka thënë po ashtu se aleatët e NATO-s po bëjnë një “gabim të pamend”.
“Ne nuk kemi nevojë për ta, por ata duhet të kishin qenë atje”, është shprehur ai.
Ndërkaq, i pyetur nëse ka një plan “një ditë pas” për Iranin, Trumpi ka thënë se nëse ata largohen tani, Teheranit do t’i duheshin “10 vjet që të rindërtoheshin”.
“Por ne nuk jemi gati të largohemi ende. Por ne do të largohemi në të ardhmen e afërt, do të largohemi pothuajse në të ardhmen shumë të afërt”, ka thënë Trumpi.
Lidhur me marrëdhënien e tij me kryeministrin britanik, Keir Starmer, Trumpi ka thënë se ai nuk ka qenë mbështetës.
“Mendoj se ai është një njeri i mirë, por jam i zhgënjyer”, ka deklaruar Trump.