Detaje nga aksioni i sotëm: Ja për çfarë hetohet grupi i dyshuar
Një aksion i gjerë i zhvilluar sot në Likovë, Kumanovë, Zhelinë dhe Nikushtak ka targetuar një grup të dyshuar për shmangie të tatimit, mashtrim fiskal dhe pastrim parash, të kryer përmes tregtisë fiktive me naftë, sipas Prokurorisë.
Prokuroria thotë se është lëshuar urdhër për hetim ndaj 13 personave, mes tyre katër shtetas të Kosovës dhe një shtetase e Kroacisë. Ata dyshohen se nga viti 2014 deri në vitin 2023 kanë organizuar dhe marrë pjesë në një grup të strukturuar kriminal, me qëllim përfitimin e paligjshëm përmes shmangies tatimore, mashtrimeve fiskale dhe pastrimit të parave, duke i shkaktuar dëme të mëdha Buxhetit të shtetit.
Skema e mashtrimit
Sipas hetimeve, grupi ka ngritur një rrjet kompanish fiktive, përmes të cilave kryhej shitja dhe tregtia e rreme me derivate nafte. Për këto transaksione përgatiteshin fatura me përmbajtje të pavërtetë, me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve tatimore dhe marrjen e paligjshme të rimbursimit të TVSH-së.
Nafta, benzina dhe derivatet e tjera bliheshin, transportoheshin dhe shiteshin përmes subjekteve që nuk kishin leje ligjore për tregti me karburante. Në shumë raste, shitjet bëheshin pa lëshuar fatura apo kupona fiskalë, ndërsa paratë e përfituara në të holla nuk regjistroheshin në dokumentacionin financiar.
Për të fshehur gjurmët, shtetasit e huaj ishin emëruar zyrtarisht si përgjegjës në disa prej kompanive, ndonëse nuk kishin të rregulluar qëndrimin në vend. Kjo, sipas Prokurorisë, ishte një mënyrë për të maskuar lidhjet e organizatorëve me veprimtarinë kriminale.
Pastrimi i parave
Organizatorët e grupit, përveç shitjes ilegale të derivateve, kanë futur në qarkullim para në dorë, i kanë transferuar ato në llogari të ndryshme dhe kanë kryer transaksione për të fshehur gjurmët e tyre. Në këtë mënyrë, ata kanë përfituar shuma të mëdha parash, të cilat e dinin se ishin fituar nga veprimtari kriminale, duke kryer kështu edhe veprën penale të pastrimit të parave.
Masat e sigurisë
Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit. Deri më tani, janë siguruar 7 persona, për të cilët Gjykata Themelore Penale në Shkup ka caktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh. Për gjashtë të tjerët, pesë shtetas të huaj dhe një shtetas i Maqedonisë, paraburgimi do të caktohet në mungesë./VOXAL/