Delegacion i VLEN-it në krye me Kasamin në tubimin e VV-së në Prishtinë
Një delegacion i VLEN-it në krye me njërin nga kryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami, ministra e deputetë kanë marrë pjesë sonte në tubimin madhështor të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ku kjo parti ka prezantuar planprogramin për zgjedhjet e 7 qershorit.
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, pjesëmarrës me këtë aktivitetet, ka thënë se po i japin mbështetje të parezervë kryeministrit Albin Kurti.
“Sapo u futën në tokën dardane të Kosovës, bashkë me delegacionin e VLEN-it dhe kryetarin Kasami për të marrë pjesë në tubimin madhështor të Lëvizjes Vetëvendosje dhe për t’i dhënë mbështetje të parezervë kryeministrit në detyrë dhe kryeministrit të ardhshëm Albin Kurti nën moton; ‘Krejt për shtet, shtet për krejt’. Ju përshëndes nga zemra nga kjo tokë dardane në emrin tim bashkë me kryetarin Kasami””, ka thënë Azizi.
Në prag të këtyre zgjedhjeve, LVV madje po shtrin aktivitetin e saj edhe në Shkup, ku nesër në Çarshinë e Vjetër do të bëjë hapjen zyrtare të Shtabit, ku pritet të marrin pjesë aktivistë, simpatizantë dhe qytetarë të shumtë.
Hapja e shtabit synon forcimin e komunikimit me qytetarët dhe zgjerimin e aktivitetit politik në vend.