Çmimet e kripura nuk i ndalin: qytetarët e Maqedonisë së Veriut blejnë gjithnjë e më shumë banesa në Greqi dhe Shqipëri
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut gjithnjë e më shumë po investojnë në patundshmëri buzë detit, kryesisht në Greqi dhe Shqipëri. Edhe pse çmimet janë rritur ndjeshëm, interesimi nuk po bie, ndërsa rrjetet sociale dhe platformat e specializuara janë të mbushura me oferta në gjuhën maqedonase.
Në Greqi, një apartament 32 m² në Nea Potidea kushton rreth 72.000 – 75.000 euro, ndërsa garsonieret në Selanik arrijnë deri në 150.000 euro. Për ata me buxhet më të lartë, në Halkidiki dhe zona të tjera turistike gjenden edhe vila luksoze që kapin vlera prej miliona eurosh. Procedurat për blerje përfshijnë marrjen e një numri tatimor grek, kontratë të noterizuar dhe regjistrim në kadastrën greke. Taksa e transferimit është 3%, ndërsa pronarët paguajnë edhe taksa vjetore si ENFIA, që varion nga 2 deri në 16 euro për metër katror, në varësi të lokacionit dhe vlerës së pronës, shkruan Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.
Ekspertët e tregut thonë se në vitin 2025 shitësit në Shqipëri janë bërë më fleksibël, duke ofruar zbritje dhe kushte të favorshme për blerësit e huaj. Taksa e transferimit është rreth 3%, ndërsa tatimi vjetor mbi pasurinë varion nga 0,05% deri në 0,2% të vlerës së tregut. Për tokën bujqësore, blerësit e huaj duhet të themelojnë kompani në Shqipëri.
Lokacionet më të kërkuara mbeten Saranda, Vlora, Himara, Gjirokastra dhe Qeparoi, duke bërë që bregdeti shqiptar të rivalizojë gjithnjë e më shumë Greqinë për investitorët nga Maqedonia e Veriut.