Benzinat mbeten me çmim të njëjtë, dizeli shtrenjtohet në 95,5 denarë për litër
Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur çmimet e reja të derivateve të naftës, duke lënë të pandryshuara çmimet e benzinave, ndërsa dizeli dhe disa produkte të tjera shtrenjtohen.
Sipas vendimit, nga mesnata çmimi maksimal i benzinës EUROSUPER BS-95 mbetet 86,5 denarë për litër, ndërsa EUROSUPER BS-98 mbetet 88,5 denarë për litër.
Në anën tjetër, dizeli (EURODIZEL) shtrenjtohet për 3,5 denarë dhe arrin në 95,5 denarë për litër.
Rritje ka edhe te produktet tjera:
- Vaji ekstra i lehtë për amvisëri rritet për 2,5 denarë dhe arrin në 92 denarë për litër
- Mazuti rritet për 0,157 denarë për kilogram dhe arrin në 47,610 denarë
Nga Komisioni theksojnë se këto janë çmime maksimale dhe kompanitë mund të shesin edhe më lirë.
Ata shtojnë se ulja e TVSH-së në 10% ka ndikuar që çmimet të jenë më të ulëta sesa do të ishin me normën e mëparshme prej 18%. Nëse do të mbetej TVSH-ja e vjetër, çmimi i dizelit do të ishte mbi 100 denarë për litër.
Sipas përllogaritjeve, çmimet e derivateve janë rritur mesatarisht për rreth 1,39%, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve në tregjet botërore të naftës.
Ndryshimet hyjnë në fuqi nga ora 00:01.