AUV paralajmëroi krematorium dhe varreza për kafshë shtëpiake, ndërtimi do të fillojë vitin e ardhshëm
Po punohet intensivisht për ndërtimin e një impianti për trajtimin e mbetjeve shtazore (krematorium) për kafshët shtëpiake në Maqedoni, por edhe për zgjidhjen e problemit të mungesës së varrezave të kafshëve shtëpiake, thotë drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Milanov. Ai pret që bazat për vendndodhjet dhe infrastrukturën për impiniatin dhe varrezat e kafshëve shtëpiake të dakordohen deri në mesin e vitit të ardhshëm, pas së cilës duhet të fillojë zbatimi praktik në terren, transmeton Portalb.mk.
Sipas Milanov, deri më tani, shumica e kafshëve shtëpiake janë lënë nga pronarët e tyre pas ngordhjes në të njëjtat deponi ku hidhen edhe mbeturinat. Lidhur me impiniatin për kafshët shtëpiake, propozimi është shqyrtuar që nga viti 2019, por nuk është gjetur dhe përcaktuar një vendndodhje e përshtatshme.
Milanov thotë se po shqyrtohet edhe mundësia që secila komunë të ketë një strehë për qentë e pastrehë.
Milanov thotë se këtë javë do të kenë takim me Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNJVL-n, në të cilin do të diskutohen këto çështje.
“Do të krijohen vende të reja që nuk janë të banuara, jashtë zonave urbane, dhe kjo do të jetë një nga temat e takimit – çdo komunë, nëse është e mundur, duhet të ketë një strehë dhe një varrezë për kafshët shtëpiake. Kjo do t’u përmendet kryetarëve të komunave”, tha Milanov në një deklaratë për MIA-n.
Lidhur me krematoriumin, Milanov tha se propozimi është duke u shqyrtuar që nga viti 2019, por nuk është gjetur asnjë vendndodhje e përshtatshme për gjashtë vjet.
“Së pari ishte Llozova, pastaj Rosomani. Këshilltarët nuk e lejuan për shkak të edukimit të pamjaftueshëm të popullsisë. Ata menduan se kufomat do të digjeshin si në fabrikë dhe se do të mbante shumë erë, por në fakt, është një hapësirë e mbyllur hermetikisht. Tani do të shkojmë drejt një partneriteti publik-privat. Ekziston edhe modeli më i fundit, si në shumicën e vendeve evropiane – krematorium i lëvizshëm që lejon që kufoma të merret, të çohet në një vend të caktuar saktësisht dhe të digjet”, shtoi ai.
Milanov pret të takohet me ministrin dhe këshilltarët e kryeministrit pas pushimeve për të diskutuar temën.
Ai është optimist se së shpejti do të kemi krematorium ndërsa, siç kujton, kjo është gjithashtu një nga kushtet për negociatat me BE-në.
“Do të doja që kjo të ndodhte menjëherë, pres që të paktën deri në verë të hedhim themelet dhe të fillojmë si me krematoriumin ashtu edhe me varrezat e kafshëve shtëpiake. Në Shkup, pati propozim për ta bërë këtë pas Bardovcës, por duhet të flasim me kryetarët e komunave për këtë”, thotë Milanov.
Ai gjithashtu informon se ligji për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve është hartuar tashmë, i cili mbulon edhe qentë e pastrehë.
“Qentë endacakë janë një problem i madh. Ka më shumë se 8,000 të tillë në Maqedoni. Ne duhet ta zgjidhim këtë. Kemi mbajtur shumë takime me 11 organizata joqeveritare, përfshirë ‘Anima Mundi’ dhe ‘Lajka’, kemi harmonizuar tekstin. Do të parashikohen gjoba për pronarë të papërgjegjshëm, për shëtitjen e një qeni pa zinxhir në një vend publik, veçanërisht racat e mëdha ‘të rrezikshme’. Do të ketë gjithashtu disa forume mbi ligjin e ri me qytetarët dhe inspektorët tanë nga njësitë rajonale. Do të përfshihen edhe shoqëritë e gjuetisë. Unë personalisht do të bëj përpjekje që ligji të miratohet deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, shton drejtori i AUV.