Arben Fetai: Badinteri nuk preket
Zv/kryeministri Arben Fetai ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Drejtësisë Igor Filkov nga ZNAM-i lidhur me Badinterin, duke i quajtur ato fantazira parazgjedhore.
“Jemi të vetëdijshëm se fushata parazgjedhore zgjon lloj lloj fantazira jashtë çdo realiteti që synojnë vetëm një grusht vota më tepër. Megjithatë, po e theksojmë që ta heqim çdo dyshim: Badinteri nuk preket”, thotë Fetai.
Ai shpjegon se është juridikisht e pamundur të hiqet Badinteri, meqenëse nuk ka deputet shqiptar që do ta përkrahte këtë avanturë.
“Edhe po të tentonte dikush të shkojë përtej demagogjisë parazgjedhore për ta sfiduar atë në realitet, nuk ka deputet shqiptar që do ta përkrahte një iniciativë të tillë, ndërsa pa shumicën e votave shqiptare është juridikisht e pamundur të preket Badinteri. Prandaj ky debat është humbje kohe”, thotë Fetai.
Çdo diskutim në këtë drejtim, sipas tij, është anti-evropian, i kotë dhe shërben vetëm si diversion nga prioritetet tona të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për të gjithë.