Alarm në Likovë: Uji i Llojanit dhe Vaksincës përmban arsen pesëfish mbi normën e lejuar
Në komunën e Likovës ka shpërthyer një alarm serioz për shëndetin publik pas analizave të fundit të ujit të pijshëm. Mostrat e marra në shkollën fillore ndërmjet fshatrave Llojan dhe Vaksincë, si dhe nga një pus në Llojan, janë analizuar në Institutin e Shëndetit Publik në Shkup dhe kanë treguar rezultate tronditëse.
Sipas analizave, niveli i arsenit në ujë arrin 47.73 µg/L, që është gati pesë herë më i lartë se standardi i lejuar ndërkombëtar prej vetëm 10 µg/L. Ky nivel paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin, veçanërisht për fëmijët që çdo ditë e përdorin këtë ujë në shtëpi dhe në shkollë.
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Likovës, Nexhmedin Sadiku, tha se kjo është papërgjegjësi kriminale nga pushteti lokal.
“Pra uji i Llojanit dhe i Vaksincës është toksik dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Nga ekspertë të fushës së shëndetit publik, na u tha se ekspozimi afatgjatë ndaj nivelit të lartë të arsenit shkakton: Kancer të mushkërive, lëkurës, fshikëzës dhe veshkave, sëmundje të zemrës dhe hipertension, diabet dhe çrregullime neurologjike, vonesa në zhvillimin e fëmijëve dhe probleme të tjera serioze shëndetësore” deklaroi Sadiku.
Ai theksoi se çështja e ujit është tashmë betejë për jetë dhe premtoi masa konkrete.
“Sapo të marrim mandatin, do ta ndalim këtë krim mjedisor dhe rrezikun për shëndetit e banorëve të.kësaj ane.
-Tokën e Llojanit do ta pastrojmë nga arseni.
-Do të sigurojmë ujë të pijshëm sipas standardeve ndërkombëtare.
-Do të garantojmë kontroll të rregullt laboratorik nga institucionet kompetente.
Banorë të Llojanit, Vaksincës dhe të Komunës së Likovës. Ju keni fuqinë të vendosni: ujë të pastër dhe jetë me dinjitet, apo helmim të përditshëm dhe injorim.Zgjedhjet në Likovë tashmë janë çështje jetë a vdekje” tha ai.
Banorët e zonës prej kohësh kanë ngritur shqetësime për ndotjen e ujit, por deri më tani Komuna e Likovës nuk ka ndërmarrë masa për të eliminuar rrezikun./VOXAL/
