Kushtetuesja rrëzon të gjitha nismat kundër “Safe City”, sistemi mbetet në fuqi
Gjykata Kushtetuese ka vendosur në seancën e sotme t’i refuzojë të gjitha nismat që kërkonin kontestimin e sistemit për kontrollin elektronik të trafikut “Safe City”, duke lënë kështu në fuqi këtë sistem.
Në Kushtetuese ishin dorëzuar katër nisma që vinin në pikëpyetje ligjshmërinë e këtij sistemi. Dy prej tyre ishin paraqitur nga përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët, përkatësisht nga Ziadin Sela dhe Arben Taravari, ndërsa një tjetër ishte iniciuar nga studenti i Fakultetit Juridik, Ylli Paçuku, e cila mbështetej nga BDI.
Iniciativat kishin të bënin me Ligjin për kundërvajtje në komunikacion, i njohur si “Safe City”. Sipas tyre, zgjidhjet e reja për evidentimin elektronik të kundërvajtjeve krijojnë pabarazi, pasi sistemi aktualisht zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Gjithashtu, në nisma theksohej se njoftimet për kundërvajtje në komunikacion duhet të dërgohen edhe në gjuhën shqipe.
Gjatë seancës, gjyqtari Naser Ajdari vlerësoi se duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria e dispozitave dhe t’i rekomandohet Kuvendit që të bëjë ndryshimet e nevojshme në ligj. Megjithatë, gjyqtarja raportuese Ana Pavllovska-Daneva kishte qëndrim të kundërt, duke theksuar se në ligj është e përcaktuar qartë se në cilat raste zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe se nuk ka nevojë të hapet procedurë për shqyrtim kushtetues.
Qëndrim të ngjashëm mbajti edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ndërsa në fund gjykata vendosi t’i hedhë poshtë të gjitha iniciativat.