Adnan Azizi: Pas tre dekadash pritje, Tetova hyn në fazën e investimit më të madh shëndetësor: spital modern
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka njoftuar për nisjen e projektit më të madh shëndetësor në rajonin e Pollogut, duke e cilësuar atë si një kthesë të madhe pas dekadash mungesë investimesh.
Sipas Azizit, bëhet fjalë për një investim prej 4.56 miliardë denarësh (rreth 74 milionë euro), që përfshin rikonstruksionin e plotë, ndërtimin e pavijoneve të reja dhe pajisjen me teknologji moderne të Spitalit Klinik në Tetovë.
Ai theksoi se projekti synon të sjellë shërbime më cilësore dhe më të afërta për qytetarët, duke ulur varësinë nga Shkupi dhe duke rritur kapacitetet mjekësore në rajon.
“Ky është një ndryshim i thellë i sistemit shëndetësor, që garanton trajtim më të shpejtë, më dinjitoz dhe më të sigurt për pacientët”, ka deklaruar Azizi.
Deputeti shtoi se rajoni i Pollogut për vite me radhë ka qenë i anashkaluar në investime strategjike, ndërsa tani, sipas tij, kjo periudhë po merr fund.
“Po e rikthejmë dinjitetin për mbi 250 mijë qytetarë. Ky është dallimi mes fjalëve dhe punës”, ka theksuar ai, duke uruar gjithashtu qytetarët me rastin e 1 Majit – Ditës së Punëtorit.