Ademi për VOXAL: Ne kemi takuar përfaqësues serb vetëm në takime ndërshtetërore
Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi gjatë një interviste për portalin VOXAL ka deklaruar se në kohën e qeverisjes së BDI-së ata kanë takuar eksponentë serbë vetëm në takime ndërshtetërore. I pyetur për akuzat e VLEN për lidhjet me biznesmenin serb Daka Davidoviq si dhe për përkrahje të Ballkanit të Hapur, Ademi thotë se në kohën e tyre nuk e kanë lënë derën e hapur për ndikim serb sikur tani, ndërsa numëron ngjarje të ndryshme të lidhen me ndikimin serb në RMV.
“Serbia ka mundur të ketë tentativa në të kaluarën mirëpo Serbia derisa kemi qenë ne në pushtet ka qenë e shqetësuar për progresin që e ka bërë Republika e Maqedonisë së Veriut. Sotilkoviqin nuk e sollëm ne kryeministër. Këta e sollën, pa legjitimitet që janë. Tash së fundmi memorandumi, nënshkrimi mes Fondit Pensional të Maqedonisë dhe Republikës Sërpska. Asnjëherë në kohën tonë, megjithëse ka patur iniciativë nga Republika Sërpska që të nënshkruhej një memorandum të tillë, nuk e kemi nënshkruar. Fatkeqësisht edhe përfaqësuesi shqiptar ishte prezent në nënshkrimin e memorandumit dhe u vu në mbrojtje të atij memorandumi. Po pjesëmarrja e klerikëve fetarë të Kishës Ortodokse Serbe në ngjarje shtetërore këtu te ne. Po deklarata e ministres së Serbisë me çka e kremtojnë pushtimin e Maqedonisë dhe Kosovës nga Serbia, pikërisht nga Manastiri. Gjitha iniciativat rajonale ku ka marrë pjesë Qeveria, derisa kemi qenë ne, janë në kuadër të takimeve ndërshtetërore. Takime ndërshtetërore ka edhe mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministrat, presidentat vazhdimisht janë takuar dhe kanë dialoguar me palën serbe. Edhe takimet që janë zhvilluar në kohën tonë kanë qenë në kuadër të iniciativave rajonale, por jo me ua hapur portat e mëdha që të futen këtu në Maqedoninë e Veriut dhe të diktojnë politikat shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Të na largojnë nga perëndimi dhe ta forcojnë boshtin Shkup, Beograd dhe Moskë”, deklaroi Ademi për VOXAL.