Mexhiti për studentët: Ata gjallëruan Çarshinë
Kandidati për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, në një video mesazh ka vlerësuar rolin e studentëve në gjallërimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Ai theksoi se hapja e universiteteve si UT dhe “Nënë Tereza” ka bërë që kjo pjesë e qytetit të jetë plot gjallëri ditë e natë.
“Çairin, nga një lagje që dikush tentoi ta shndërrojë në geto, ne e kthyem në qytet studenti. Kjo falë afërsisë me katër universitete: ‘Kirili dhe Metodi’, UEJN, Universitetin Ballkanik dhe ‘Nënë Tereza’, ku po ndërtohet kampusi universitar prej 40 milionë eurosh me të gjitha kushtet moderne”, tha Mexhiti.
Sipas tij, pikërisht prezenca e studentëve ka qenë faktori kryesor që ringjalli Çarshinë e Vjetër. “Para 10-12 vitesh, me vendosjen e studentëve të UT-së në objektin e De-Kokas, ata nisën të ndryshonin atmosferën në mënyrë avangarde. Sot, Çarshia është kthyer në një hapësirë atraktive që frekuentohet nga mëngjesi deri vonë në mbrëmje”, shtoi ai.