17-vjeçari tentoi ta vriste të atin, e goditi 10 herë me thikë
Prokuroria kërkon nisjen e procedurës përgatitore ndaj një të mituri, 17 vjeçar nga Shkupi, i cili dyshohet se ka tentuar ta vrasë babain e tij.
“Duke ushtruar dhunë në familje në shtëpinë e tij në rrugën “Hristijan Todorovski Karposh” në Shkup, i mituri me dashje ka tentuar t’i marrë jetën të atit. Ndërsa babai ndodhej në dhomën e gjumit, i mituri iu afrua nga pas dhe me një mjet të mprehtë i shkaktoi 10 plagë me thikë. Në afërsi ndodhej edhe nëna, e cila arriti ta shtyjë fëmijën dhe menjëherë të thërrasë ndihmën mjekësore”-thonë nga Prokuroria
Edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale në Qendrën Klinike “Nëna Terezë”, babai ndodhet në gjendje të rrezikshme për jetën.
Me kërkesën për fillimin e procedurës përgatitore, në përputhje me Ligjin për drejtësinë për fëmijët, prokurori publik propozoi që ndaj të miturit të shqiptohet edhe masa e paraburgimit.