Kapen në flagrancë dy vjedhës në Çair, njëri arratiset
Policia ka parandaluar vjedhjen në një market në Çair të Shkupit, pasi një dëshmitar i kishte parë tre vjedhësit duke u përgatitur për të vjedhur. Ngjarja ka ndodhur pak para orës 5 të mëngjesit, ndërsa njësitet policore kanë ardhur menjëherë pas lajmërimit. Për shkak se vjedhësit kanë dashur të arratisen, policët kanë shtënë me armë në ajër në shenjë paralajmërimi dhe më pas i kanë arrestuar dy prej tre vjedhësve.
“Sot (06.09.2025) zyrtarë policorë nga SPB Shkup i privuan nga liria A.H. (23) dhe E.A. (19), të cilët kishin hyrë me dhunë në një market në rrugën “Xhon Kenedi” në Shkup, në territorin e Çairit, dhe kishin tentuar të kryejnë grabitje. Në orën 04:52 në SPB Shkup është raportuar se tre persona meshkuj po hynin me dhunë në market, pas çka menjëherë janë ndërmarrë masat dhe aktivitetet e duhura nga njësia e policisë intervenuese dhe nga Stacioni Policor Bit Pazar.
Pasi i kanë parë zyrtarët policorë, personat janë vënë në arrati, pas çka një polic ka shtënë një plumb paralajmërues në ajër. Pas masave të ndërmarra, nga liria u privuan A.H. dhe E.A., ndërsa për një person tjetër po ndërmerren masa për ta gjetur. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.”, njoftojnë nga MPB/VOXAL/