
Nuk ka më nota me “lidhje”, ditari elektronik do të kontrollohet vetëm nga Ministria e Arsimit
Mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave nuk do të kenë më mundësi të fshijnë apo ndryshojnë nota në E-ditar. Këtë e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janeska, e cila iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për funksionalitetin e këtij sistemi dhe për ankesat lidhur me librat shkollorë të dëmtuar.
“E-ditari është projekt i punuar nga Bashkimi Evropian dhe është i përditësuar. Dua të them qartë se nuk ka më fshirje, shënim apo rishkrim të notave. Nuk ka më fshirje të një dyshi për ta kthyer në pesë. Këtë mund ta bëjë vetëm administratori në MASH, dhe atë vetëm nëse ka një arsyetim serioz për një gabim nga ana e mësuesit”, deklaroi Janeska.
Sipas saj, drejtorët nuk do të kenë më qasje për të ndërhyrë në regjistrat elektronikë, ndërsa asnjë mësues i një lënde nuk do të mund të shohë notat e lëndëve të tjera. Ministrja theksoi se mësuesit tashmë kanë kaluar trajnim për përdorimin e E-ditarit dhe, nëse është e nevojshme, do të organizohen trajnime shtesë. Për më tepër, janë përgatitur udhëzime në formë videosh për përdoruesit.
Problemi me librat shkollorë
Lidhur me ankesat e prindërve për librat e dëmtuar ose me faqe të munguar, Janeska tha se nga klasa e parë deri në të tretën nuk ka pasur asnjë problem. Megjithatë, në klasën e katërt ekziston problem me librin e Matematikës, të cilin MASH-i do të përpiqet ta zgjidhë brenda kufizimeve ligjore.
Në klasën e pestë është shpërndarë libër i ri për “Histori dhe Shoqëri”, në të gjashtën libër i ri për “Histori”, ndërsa gjenerata e klasës së shtatë ka marrë kompletuar libra të rinj për të gjitha lëndët. Sfida, sipas saj, mbetet libri i Historisë për klasën e tetë, i cili ishte tërhequr më 2018–2019 me kërkesë të Komisionit të përbashkët maqedono-bullgar.
Janeska shpjegoi se këtë vit nuk është shtypur libër i ri për Historinë në klasën e tetë, pasi në afat prej dy javësh pritet të shpallet konkursi për programet e reja mësimore. “Do të ishte shpenzim i panevojshëm të shtypnim libër sipas programës së vjetër, kur pas pak javësh do të kemi programë të re dhe libra të rinj, përfshirë Historinë”, tha ajo.
Librat e dëmtuar dhe kompensimi
Ministrja rikujtoi se sipas ligjit, librat shkollorë rinovohen çdo pesë vjet. Sipas saj, nxënësit duhet të mësohen t’i ruajnë librat dhe të mos i dëmtojnë faqet apo kopertinat. Për këtë është paraparë një komision shkollor që verifikon gjendjen e librave. Nëse konstatohet dëmtim, prindërit duhet të kompensojnë një përqindje të caktuar të vlerës – nga 10 deri në 70 për qind, në varësi të vitit të përdorimit.
Janeska bëri të ditur se ekziston një sistem elektronik për raportimin e librave të dëmtuar, ku shkollat paraqesin dëshmi se kanë zbatuar ligjin dhe kanë mbledhur pagesat përkatëse nga prindërit.
Sipas saj, këtë vit janë shpenzuar gjithsej 11 milionë euro për botimin e librave të rinj dhe rinovimin e atyre ekzistues.