
Edhe një i akuzuar për zjarrin tragjik në Koçani
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj një personi tjetër në lidhje me zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku më 16 mars 2025 humbën jetën 62 persona, ndërsa mbi 220 u plagosën. Aktakuza është dorëzuar sot në Gjykatën Penale të Shkupit dhe i referohet veprës penale “Vepra të rënda kundër sigurisë publike”.
I akuzuari i fundit është pronar real i agjencisë së sigurimit “Rubikon Security”, e cila kishte detyrë të siguronte objektin në natën e tragjedisë. Sipas Prokurorisë, ai së bashku me menaxherin e agjencisë dhe persona të tjerë tashmë të akuzuar, nuk kanë respektuar dispozitat ligjore për mbrojtje dhe siguri, duke lejuar funksionimin e objektit në kushte të pasigurta. Në aktakuzë theksohet se sigurimi është kryer pa kontratë të rregullt me diskotekën, pa plan sigurie për evente me numër të madh vizitorësh, pa kontroll të daljeve të emergjencës dhe pa kryer kontrolle të detyrueshme mbi hyrjen e të miturve dhe sjelljen e mjeteve të rrezikshme në objekt.
Hetimi ka konstatuar se pikërisht për shkak të këtyre mangësive është bërë e mundur futja dhe përdorimi i mjeteve piroteknike, të cilat kanë shkaktuar zjarrin gjatë koncertit të grupit “DNK”.
Prokuroria thekson se i akuzuari ka pasur rol udhëheqës në agjencinë e sigurimit dhe ka dhënë udhëzime direkte për stafin që atë natë ishte i angazhuar në objekt. Pas ngjarjes, ai ka tentuar të hapë një kompani të re sigurimi në Strumicë, duke u fshehur formalisht pas një personi tjetër, me qëllim që të vazhdojë aktivitetin.
Ndaj të akuzuarit më herët ishte caktuar masa paraburgim, e cila më vonë u zëvendësua me arrest shtëpiak dhe kufizime shtesë, si ndalim komunikimi me persona të caktuar dhe marrje të pasaportës. Prokuroria ka propozuar që këto masa të zgjaten, duke vlerësuar se ekziston rrezik për pengim të procedurës./VOXAL/