Fetai: Ja 4 pyetjet në Komisionin e Venecias për Ligjin për Përfaqësimin
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka takuar sot një delegacion nga Komisioni i Venecias, lidhur me pyetjet që ka dërguar Qeveria për propozim ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat më 11 korrik.
Fetai publikoi sot 4 pyetjet që i janë dërguar Komisionit të Venecias.
-A e avancon ky ligj parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Balancuesit?
-A e promovon propozim ligji barazinë, nëpërmjet veprimit pozitiv dhe duke eliminuar barrierat e punësimit?
-A është propozim ligji në përputhje me parimet e tjera kushtetuese si liritë dhe të drejtat themelore, shprehjen e lirë të përkatësisë etnike, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e privatësisë të të gjithë qytetarëve?
Dhe e fundit,
-A është mekanizëm efikas Trupi Koordinues i Qeverisë që themelohet me këtë ligj për sigurimin e respektimit, afirmimit, përmirësimit, avancimit dhe monitorimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
“Ne besojmë se vlerësimi i Komisionit të Venecias për këto 4 çështje është garanci se ligji do të qëndrojë i fortë dhe i qëndrueshëm, si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë institucional”, tha zv/kryeministri Fetai.
Ai theksoi se ky projektligj sjell disa ndryshime thelbësore.
“Përfaqësimi i drejtë për herë të parë shndërrohet në një detyrim ligjor të qartë dhe të zbatueshëm për çdo institucion. Po ashtu, themelohet një trup koordinues qeveritar, i udhëhequr nga Zëvendëskryeministri, i cili do të ketë për detyrë monitorimin dhe garantimin e zbatimit të ligjit. Ndërkohë, brenda gjashtë muajve do të bëhet harmonizimi i të gjithë legjislacionit sektorial me obligimet që burojnë nga ky ligj”, tha Fetai.