69 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash, më së shumti nënshkrime ka Mendi Qyra
Pas përfundimit të afatit, në përputhje me nenin 63 të Kodit Zgjedhor, deri më 1 shtator, nëpërmjet zyrave rajonale dhe zyrave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për paraqitjen e propozimeve të listave të kandidatëve nga grupet e votuesve me së paku dy nënshkrime të votuesve, janë dorëzuar gjithsej 69 iniciativa për propozimin e listave për kryetarë të komunave dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, si dhe 68 iniciativa për propozimin e listave të këshilltarëve për këshillat e komunave dhe Këshillin e Qytetit të Shkupit, informon Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).
“Listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave dhe lista e kandidatit për kryetar të komunës, së bashku me nënshkrimet e evidentuara si propozim dhe gjithë dokumentacionin tjetër në përputhje me kushtet ligjore dhe sipas Udhëzimit të KSHZ-së për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes, pranimit dhe konfirmimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale, dorëzohen në komisionet komunale zgjedhore deri më 13 shtator”, informojnë nga KSHZ.
Siç informojnë nga aty, nënshkrime për kandidatë të pavarur për kryetarë komunash janë mbledhur për komunat: Probishtip, Makedonska Kamenicë, Kumanovë, Kriva Pallankë, Ohër, Debarcë, Prilep, Dollnen, Strugë, Dibër, Strumicë, Radovish, Bërvenicë, Shtip, Sveti Nikollë, Gjevgjeli, Demir Kapi, Kërçovë, Makedonski Brod, Koçan, Çeshinovë-Obleshovë, Manastir, Mogillë, Novac, Resnjë, Gostivar, Demir Hisar, Vinicë, Saraj, Qendër, Aerodrom, Karposh, Shutkë, Haraçinë, Kisella Vodë, Zelenikovë, Studeniçan, Çuçer-Sandevë dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit.
Nënshkrime për lista të pavarura për anëtarë të këshillave të komunave dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit janë mbledhur për komunat: Probishtip, Makedonska Kamenica, Kumanovë, Staro Nagoriçanë, Ohër, Debarcë, Prilep, Dollnen, Strugë, Dibër, Bosillovë, Novo Sellë, Strumicë, Tetovë, Shtip, Sveti Nikollë, Lozovë, Kërçovë, Makedonski Brod, Koçan, Çeshinovë-Obleshovë, Kavadar, Manastir, Mogillë, Resnjë, Demir Hisar, Karposh, Saraj, Qendër, Çuçer-Sandevë, Kisella Vodë, Zelenikovë, Studeniçan dhe për Këshillin e Qytetit të Shkupit.
Së bashku me listat e kandidatëve të paraqitura nga grupet e votuesve, përveç formularit për nënshkrimet e mbledhura për listën e kandidatit për kryetar të komunës apo të Qytetit të Shkupit dhe/ose listën e kandidatëve për anëtarë të këshillit të komunës apo të Këshillit të Qytetit të Shkupit, dorëzohen edhe të gjitha dokumentet e nevojshme sipas Udhëzimit për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes, pranimit dhe konfirmimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale 2025, i cili është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Ndërkaq, në listën me nënshkrimet e mbledhura që e publikoi KSHZ, më së shumti nënshkrime, gjithsej 65, ka mbledhur Mendi Qira, kandidat i pavarur për kryetar të Strugës. Më pas vjen Venko Krstevski, kandidati për kryetar të Komunës së Koçanit – 7, si dhe Goran Talevski, kandidati për komunën Novac – 10. Shumica e kandidatëve të tjerë të pavarur kanë mbledhur nga dy ose tre nënshkrime.