Hija e Gruevskit në qendër të fushatës për Çairin
Koalicioni VLEN për disa ditë me radhë po drejton pyetje publike drejtuar kandidatit të AKI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmanit, për takimet e përfolura në Budapest me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.
Pasi Osmani tha se takimet e tij si Ministër i Jashtëm janë të klasifikuara si sekret shtetëror, deputetja e VLEN-it Merita Kollçi Koxhaxhiku sot nëpërmjet një press konference kërkoi sërish sqarime.
“Ai refuzoi publikisht të mohojë takimin me Nikola Gruevskin, një person i shpallur në listën e zezë amerikane dhe i kërkuar nga drejtësia,” theksoi Kollçi Koxhaxhiku.
Deputetja ngriti disa pyetje publike për Osmanin, duke kërkuar transparencë mbi natyrën dhe qëllimin e këtyre kontakteve:
“Që kur takimet e një ministri të Jashtëm me individë nga lista e zezë amerikane klasifikohen si sekrete? A janë raportuar këto takime në Prokurorinë Publike apo në Ministrinë e Brendshme? Cili është interesi i vërtetë pas këtij komunikimi të fshehtë?”, pyeti ajo.
Sipas saj, qytetarët shqiptarë meritojnë përgjigje të qarta dhe jo heshtje.
Bujar Osmani u përgjigj ndaj kësaj konference duke mohuar takimin me Gruevskin.
“Në mungesë të ideve dhe përballë humbjes që i pret në zgjedhje, manipulimet e vLEN-it vazhdojnë lidhur me një kinse takim me Gruevskin me qëllimin për të siguruar deputetë për të mbështetur ndryshimet kushtetuese. E kam thënë qartë dhe me zë të lartë se një takim i tillë nuk ka ndodhur”, publikoi Osmani.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski u arratis në Hungari pas rënies nga pushteti dhe akuzat që peshonin ndaj tij nga Prokuroria Speciale për bisedat e përgjuara në atë kohë. Ende nuk janë zbardhur rrethanat se si Gruevski arriti të kalojë kufirin pa u kapur nga autoritetet.