(VIDEO)Policia e ka zbardhur rastin e sulmit ndaj vajzës së mitur në Çair
SPB Shkup ka zbardhur rastin e sulmit ndaj një vajze 11-vjeçare në Çair, i cili është kryer nga tri të mitura, ndërsa ngjarja është regjistruar me telefon dhe më pas është publikuar në rrjetet sociale. Ngjarja e cila tronditi opinionin vendas u gjykua ashpër.
Nga masat e ndërmarra nga zyrtarët policorë tështë konstatuar se më 20 qershor 2025, rreth orës 14:00, në rrugën “Pavle Iliq” në Shkup, afër një lokali, vajza ishte sulmuar fizikisht nga tri vajza, ndërsa një tjetër e kishte incizuar ngjarjen.
Pamjet e dhunës janë shpërndarë në rrjete sociale dhe në një portal, ndërsa më 1 shtator 2025, babai i vajzës së sulmuar ka paraqitur rastin në polici. Ai ka deklaruar se për ngjarjen kishte mësuar nga rrjetet sociale, pasi vajza nuk ia kishte treguar nga frika se mund të sulmohej sërish.
Të miturat dhe prindërit e tyre janë thirrur në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngriten kallëzime për veprat penale “dhunë” dhe “incizim i paautorizuar”./VOXAL/