Përgatitjet për vitin e ri shkollor, a janë të përballueshme? Ja çfarë thonë qytetarët
Teksa në fuqi është masa për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore për 10 deri në 15 përqind, prindërit në tregun e Bitpazarit vazhdojnë të numërojnë monedha për të plotësuar listën e blerjeve. Çdo fletore është llogari, çdo laps peshon shumë në buxhetin familjar.
Materialet shkollore, që duhet të jenë domosdoshmëri, për shumë familje janë kthyer në barrë të papërballueshme.
“Doemos duhet të harxhojmë. Kemi katër fëmijë. Shumë janë por po tentojmë të bëjmë diçka. Gjithçka është shtrenjtë. Nuk ka asgjë të lirë”, deklaroi një blerës për VOXAL.
“Po i përgatisim ngadalë por standardi nuk është për këto çmime të larta që ua kanë hypë njerëzve. Ku është më lirë aty blejmë. Po mundohemi por vështirë. Dy momentalish të vëllaut, por…As nuk e llogaris se duhet të çartem. Nuk janë vetëm pagesat e fëmijëve po ka shumë pagesa. Shumë pagesa”, tha blerësi tjetër.
“Çmimet nuk janë të ulëta, gati si jashtë. Sepse ne jetojmë në perëndim, dhe besoj ose gati sigurt se sikur këtu janë, ndoshta edhe pak më lartë. Disa gjëra po. Patjetër. Meqë jetojmë jashtë kemi mundësi por të jetosh këtu është problem. Sidomos nëse punon vetëm një anëtar i familjes, nëse gruaja nuk punon…”, u ankua blerësi i radhës.
Shitësit e Bitpazarit thonë se nuk kanë hapësirë të ulin çmime.
“Ne jemi privat. Ne nuk jemi që e sjellim mallin direkt. Ne e marrim mallin nëpër magazina. Firmat e mëdha kanë çmime më të ulëta sepse ato janë kompani më të forta dhe kanë çmime më të lira. Ne këtu i marim këtu i shesim. Ka interes por i kërkojnë çmimet më të lira. Më së liri kërkojnë nuk kërkojmë çmime të shtrenjta. Do mbijetosh ske çka bën. Për klasat fillimtare, për çerdhe, këto më së shumti”, deklaroi për VOXAL një shitës në BitPazar.
Pra edhe këtë vit, diçka që duhet të jetë domosdoshmëri, është shndërruar në luks. Prindërve ende u duhet të zgjedhin mes asaj që duhet dhe asaj që mund të përballojnë./VOXAL/