Likovë: Përgjysmohet numri i nxënësve, VLEN alarmon për migrimin masiv
Këshilltari i VLEN-it në Komunën e Likovës, Iljaza Abazi, ka bërë të ditur se programet vjetore të shkollave për vitin 2025/26 pasqyrojnë një rënie të dukshme të numrit të nxënësve në të gjitha institucionet arsimore të komunës.
Sipas të dhënave që drejtorët e shkollave kanë paraqitur para këshilltarëve, në SHFK “Faik Konica” (Sllupçan dhe Orizare) numri i nxënësve është përgjysmuar nga 1.056 në vitin shkollor 2007/08 në rreth 553 në 2025/26, një ulje prej 503 nxënësish ose rreth 47,6%.
Edhe SHFK “Dituria” (Likovë) ka shënuar rënie të theksuar: nga 647 nxënës në 2006/07 në 242 në 2025/26, që korrespondon me një tkurrje prej 405 nxënësish ose rreth 62,6% më pak.
Abazi shtoi se, sipas drejtorëve, me dhjetëra nxënës çdo vit kërkojnë dokumentacionin shkollor për t’u bashkuar me prindërit e tyre në shtete të ndryshme evropiane, çka po ndikon drejtpërdrejt në zbrazjen e bankave shkollore. Në kuadër të “Dituria”-s, shkollat periferike numërojnë shumë pak nxënës: Gushinca 18 dhe Llukara 10.
Komuna e Likovës udhëhiqet nga BDI-ja prej dhjetëra vitesh, ndërsa kjo parti kishte edhe pushtetin qendror.