Muhamed Ali: Katër vatra zjarri në Tetovë nën kontroll, shqetësim zjarrvëniet e qëllimshme
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali, njoftoi se në rajonin e Tetovës sot janë regjistruar katër vatra zjarri, ku ekipet zjarrfikëse po ndërhyjnë në terren.
Sipas tij, në fshatin Cerovë po veprojnë ekipet e Zjarrfikësve të Tetovës, ndërsa në fshatin Merovë intervenimi po kryhet nga zjarrfikësit në bashkëpunim me ndërmarrjen “Pyjet Nacionale”.
Ali theksoi se të gjitha zjarret janë vënë nën kontroll falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit mes shërbimeve kompetente. Situata po monitorohet vazhdimisht nga QMK në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Megjithatë, ai shprehu shqetësim për rastet e ndezjeve të qëllimshme të zjarreve nga individë që rrezikojnë natyrën dhe jetën e qytetarëve. Drejtori bëri apel për kujdes dhe përgjegjësi maksimale nga të gjithë qytetarët, duke kujtuar se çdo pakujdesi ose veprim i paarsyeshëm mund të ketë pasoja serioze për njerëzit dhe mjedisin.