Usta Rashiti, 60 vjet me riparime: Pse gjërat e reja prishen shpejt?
Usta Rashiti ka kaluar më shumë se gjashtë dekada mes veglave dhe telave. Nga tranzistorët e llambat, e deri te pajisjet moderne me LED dhe USB-të, çdo hap i zhvillimit teknologjik ka kaluar nëpër duart e tij. Në kohën kur asgjë nuk hidhej dhe çdo aparat duhej domosdoshmërisht të riparohej, ai ishte mjeshtri te i cili shkonin të gjithë. Sot, zanatin që e trashëgoi nga i ati, po e përcjell me të njëjtën dashuri te djali dhe nipi. Ai për VOXAL rrëfen pasionin për këtë zanat.
“Pas mbarimit të klasës së tetë, fillova në servisin “Radio Bran”, ishte një ndër serviset më të mirë në atë kohë. Aty punonte edhe babai im para asaj dhe ashtu pata shansin të regjistrohem aty si nxënës. Djali po punon, nipi poashtu i dyti më shumë, edhe ai po vjen” tha Usta Rashiti për VOXAL.
Ai theksoi se ky zanat kërkon vazhdimisht mësim e përshtatje.
“Ka ndryshuar shumë, sidomos zanati, se unë kur kam filluar më parë, me llampa, pastaj me tranzistorë 77-78 filluan televizorët me ngjyra. Mandej ku shkoi teknika dolën magnetofonët e mëdhenj me lenta, mandej prej asaj me kaseta, mandej me cd tash me këto USB, kështu gjithmonë duhet ta përcjellësh zanatin” shtoi ai.
Në vitin 1973, vetëm 23 vjeç, hapi dyqanin e tij të parë, dhe që atëherë, nuk e ndali më kurrë punën.
“Në këtë lagje isha ndër më të rinjtë, në atë kohë 23-vjeçar, por tash kam mbet më i vjetri”, tha Rashiti duke rikujtuar me nostalgji kohën kur zanatxhinjtë ishin shumë të respektuar.
E përveç djalit e nipit, nëpër duart e Usta Rashitit kanë kaluar gjithsej 64 nxënës. Por në 10 vitet e fundit, rrallë kush dëshiron ta mësojë këtë zanat. Sepse sot më shumë hidhet sesa riparohet.
” I bëjnë në atë mënyrë që të mos mund t’i ndryshosh pjesët, edhe ajo e bëjnë të veten. Përpara për shembull, prej 10 televizorëve, mundej një mos mund të rregullohet, që ishte amortizuar, i ka kaluar afati. A tash prej 10 televizorëve, 9 i gjuajnë. Se shumë lirë i marrin, por edhe ashtu i bëjnë kompanitë, se nuk ka pjesë, sidomos me ekranet… 1:28 Shumë po hidhen, por edhe këta që shesin e kanë obligim, 5-7 vjet ti mbulojnë me pjesë rezervë, por nuk ka, nuk ka”- tha Rashiti.
Vetëm në vitin 2022, në botë u krijuan mbi 62 milionë ton mbetje elektronike. Dhe kjo nuk është rastësi. Kompanitë ndërtojnë pajisje që funksionojnë vetëm për aq kohë sa zgjat garancioni. Pas saj, pjesët vështirë gjenden dhe produkti është thuajse i destinuar për t’u hedhur. Kapitalizmi na detyron të blejmë një model të ri, në vend që të vijmë te Usta Rashiti për riparim./VOXAL/