Kontrata 1,8 milion euro e Bujar Osmanit me Eurovian, prononcohet AKI: Fabrikohen “histeri ekskluzive”
Qesharake janë përpjekjet e VLEN-it për të krijuar një lloj histerie kinse po publikojnë “ekskluzivisht” një marrëveshje që është publike dhe e shpallur që para një viti në portalin e prokurimeve publike. Kështu thuhet në reagimin e Shtabin e kandidatit të AKI për Komunën e Çairit, ndërsa edhe njëherë demanton akuzat për korrupsion dhe me këtë rast, publikon linkun e Marrëveshjes me kompaninë që ka përgatitur sallën për Samitin e OSBE-së. Madje, në reagim thuhet se kjo Marrëveshje nuk është ekskluzive siç paraqitet sot, por e njëjta ishte dërguar me vetë-iniciativë të Osmanit edhe në Prokurorinë Publike dhe në Drejtorinë për Antikorrupsion pas samitit të OSBE-së, ndërsa ka qenë e qasshme në linkun e Prokurimeve publike.
“E njëjta marrëveshje ishte dërguar me vetë-iniciativë edhe në Prokurorinë Publike dhe në Drejtorinë për Antikorrupsion pas samitit të OSBE-së. Nga dëshpërim që po humbin në të gjitha sondazhet dhe pa argumente reale kundër Osmanit, vetëm sa po fundosen më thellë në mungesën e ideve të tyre. Ne po e publikojmë sërish marrëveshjen dhe linkun ku shihet se kur është shpallur publikisht. VLEN-it po i përgatitet një humbje e madhe dhe këto përpjekje të kota vetëm sa do ta thellojnë atë humbje”, thuhet në reagim.