Hyjnë në fuqi tarifat prej 50% të Trumpit ndaj Indisë
Tarifat prej 50% e vendosur Donald Trump, ndaj Indisë kanë hyrë në fuqi, disa javë pasi presidenti amerikan nxori një urdhër ekzekutiv që godet vendin aziatik me një ndëshkim shtesë prej 25% për blerjet e tij të naftës dhe armëve ruse.
Kjo e vendos Indinë – një nga partnerët më të fortë të SHBA në Indo-Paqësor – ndër vendet që paguajnë tarifat më të larta në botë. Kjo mund të godasë eksportet dhe rritjen ekonomike të ekonomisë së pestë më të madhe në botë, duke qenë se SHBA ishte, deri së fundmi, partneri më i madh tregtar i Indisë, shkruan BBC, përcjell Reporteri.net.
Goditja nga tarifat ka vënë qeverinë indiane në gjendje emergjente. Në fillim të këtij muaji, kryeministri indian Narendra Modi premtoi ulje taksash për të zbutur ndikimin ekonomik. Ai gjithashtu bëri thirrje për vetë-mjaftueshmëri vendase.
Ai tha se një “dhuratë për Diwali” në formën e një “shpërblimi të madh fiskal” është në rrugë për qytetarët e zakonshëm dhe miliona biznese të vogla që janë shtylla e ekonomisë së tretë më të madhe të Azisë.
Modi u bëri thirrje dyqanxhinjve dhe bizneseve të vogla që të vendosin tabela “Swadeshi” ose “E bërë në Indi” jashtë dyqaneve të tyre.
“Duhet të bëhemi të vetë-mjaftueshëm – jo nga dëshpërimi, por nga krenaria,” tha ai. “Egoizmi ekonomik po rritet në mbarë botën dhe ne nuk duhet të rrimë duke qarë për vështirësitë tona; duhet të ngrihemi dhe të mos lejojmë të tjerët të na mbajnë në duart e tyre.”
Ai i ka përsëritur këto komente në të paktën dy fjalime publike të tjera këtë javë.
Për shumë nga ata që e ndjekin situatën, kjo është një përgjigje e qartë ndaj tarifave 50% të vendosura nga Donald Trump ndaj Indisë, që pritet të shkaktojnë trazira në miliona vende pune në sektorët e saj eksportue.
Në mes të kësaj goditjeje, mesazhi i Modit për popullin e tij ka qenë i qartë: prodhoni në Indi dhe shpenzoni në Indi.
E para ka rezultuar gjithnjë e më e vështirë, pasi pjesa e prodhimit në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Indisë (PBB) ka mbetur e stagnuar në nivelin 15%, pavarësisht subvencioneve dhe stimujve të ofruar nga qeveria ndër vite./Reporteri.net