Izraeli vijon ofensivën në qytetin e Gazës, Netanyahu: Gati për negociata me kushtet e tij
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka udhëzuar nisjen e negociatave për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe për përfundimin e luftës në Rripin e Gazës, me kushte “të pranueshme për Izraelin”.
Kjo deklaratë vjen pas vizitës që ai zhvilloi në selinë e Divizionit të Gazës, ku miratoi planet e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
“Kam ardhur për të miratuar planet e IDF-së për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës dhe për të mposhtur Hamasin. Këto dy çështje – mposhtja e Hamasit dhe lirimi i të gjithë pengjeve tona – ecin dorë për dore”, deklaroi Netanyahu.
Gjatë një adresimi ndaj trupave izraelite mbrëmjen e së mërkurës (21 gusht), Netanyahu njoftoi se kabineti i tij ka miratuar gjithashtu plane për një ofensivë të gjerë ushtarake në Qytetin e Gazës, në veri të territorit, pavarësisht kundërshtimeve të gjera si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ndërkohë, Hamasi ka pranuar të hënën një propozim të hartuar nga ndërmjetësuesit nga Katari dhe Egjipti për një armëpushim 60-ditor, i cili sipas autoriteteve në Katar do të çonte në lirimin e gjysmës së pengjeve të mbetura në Gaza.
Zyrtarët izraelitë kanë shprehur kundërshtim ndaj çdo marrëveshjeje që parashikon vetëm lirimin e pjesshëm të pengjeve.
Të mërkurën, Hamasi akuzoi Netanyahun për shpërfilljen e propozimit të ndërmjetësuesve dhe për pengimin e arritjes së një marrëveshjeje. Autoritetet izraelite besojnë se vetëm 20 nga rreth 50 pengjet e mbetura janë ende gjallë pas 22 muajsh lufte.