(VIDEO) Zgjedhjet sfidë për gazetarët dhe mediat: Si të ruajnë profesionalizmin?
Ciklet e zgjedhjeve sfidë për gazetarët se si të ruajnë profesionalizmin dhe raportimin etik në mediat, në mënyrë profesionale të raportojnë për ngjarjet dhe aktiviteteve të partive politike dhe kandidatëve që garojnë në zgjedhje.
Këshilli Etik i Mediave në Maqedoninë e Veriut ka filluar me përgatitjen e të gjitha mekanizmave për të mbrojtur profesionalizmin, integritetin dhe autoritetin e gazetarëve. Nora Kaliqi, kryetare e Këshillit Etik të Mediave në RMV për VOXAL shprehet se përveç Kodit Etik janë përgatitur edhe udhëzues se si do të raportojnë gazetarët në mediat online.
“Kemi filluar ti aktivizojmë të gjitha mekanizmat të cilat do ta mbrojnë sadopak profesionalizmin, integritetin dhe autoritetin e gazetarëve. Në këtë drejtim kur flasim vetëm për terminologjinë se gazetarët duhet të respektojnë rregullat etike dhe profesionale, ne kemi Kod Etik të gazetarëve, udhëzues se si duhet të raportohet në mediat online etj. Kryesisht ankesat të cilat na parashtrohen në Këshillin Etik për Media kanë të bëjnë me shkeljet në mediat online dhe ato lëvizin nga 80 deri në 90 përqind”, shprehet Nora Kaliqi kryetare e Këshillit Etik të Mediave në RMV.
Sipas saj, ka edhe një risi, pasi do të mbikëqyren edhe partitë politike, kandidatët e tyre, kandidatët e pavarur dhe faqet e tyre zyrtare të cilat i posedojnë në rrjetet sociale, gjithashtu edhe influencuesit apo ndikuesit në opinionin publik të cilët kanë më shumë ndjekës dhe krijojnë opinion publik. Në këtë drejtim, pas krijimit të një Trupi Koordinativ, Agjencisë së Mediave i jepen kompetenca që të mund të reagoj edhe ndaj faqeve të tyre zyrtare.
“Edhe pas fushate, jo vetëm në fushatë. Unë përmenda periudhën tani pasi është më e brishtë dhe aktivizimi i këtyre rrjeteve sociale, profileve të rrejshme, aktivizohen sa do më shumë sulmet që i bëjnë partitë politike nëpërmjet filtrave të ndryshme apo mekanizmave të ndryshëm, kryesisht në hapësirën online. Në Këshillin Etik ekziston faqe ku mund të adresohen ankesa të drejtpërdrejta për shkelje të cilat i bëjnë mediat, mediat online, çdo gjë evidentohet si parregullsi mund të dërgohen aty”, thotë Kaliqi.
Ajo vëren se balancimi i kronikave të gazetarëve nuk është vetëm te minutat e përcaktuar nga Angjencia e mediave por edhe përmbajtja e tyre.
“Balancimi i informacioneve, nuk do të thotë vetëm minutat e përcaktuara nga ASHMAA por duhet të shihet dhe pasur parasysh edhe përmbajtja të cilën e përçojnë ata. Ne kemi shumë raste kur mediat janë të balancuara në pjesën e minutave të cilat i ndajnë për kandidatët e tyre, shumë është me rrëndësi përmbajtja, se çfarë japin për një kandidat e çfarë japin për një kandidat tjetër. Kjo favorizon njërën apo tjetrën palë. Në këtë drejtim duhet të edukohen edhe qytetarët edhe ne, që sa më shumë të ngremë zërin për ta mbrojtur integritetin dhe autoritetin tonë profesional”, shtonë më teje kryetarja e Këshillit Etik të Mediave në RMV.
Ndërkohë Kodi i sjelljes në hapësirën online i miratuar në Shtator të vitit 2023 zbatohet për partitë politike dhe kandidatët e tyre, kandidatët e pavarur, publikimet online të radiodifuzerëve dhe mediave online, verifikuesit e fakteve, influencuesit dhe çdo subjekt tjetër që ndikon tek votuesit./VOXAL/
Gazetar: Nexhmedin Shaqiri