Historia e harruar: Si po i ngjanë Gaza Prekazit?
Në një diferencë kohore prej 27 vitesh, skenari në Gaza po i ngjan atij të Prekazit dhe këtë e shpjegon gazetarja kosovare, Jeta Xharra, teksa e përshkruan një fotografi ikonike që ndodhet në muzeun “Reporting House”. Në atë fotografi shihen gratë nga Prishtina, që ishin nisur të dërgonin bukë në Prekaz, sepse konvojet ushqimore nuk lejoheshin të hynin.

“Dy javë pasi që ka ndodh sulmi te Jasharajt, skenari ka qenë i ngjashëm si sot në Gaza, s’ka hy as një konvoj humanitar, s’ka pas bukë. Edhe gratë kanë vendos me bo rolin e tyre që e kanë te shpija, me bë bukë, me dërgu në publik, që është me dërgu bukë në Prekaz, me ec 14 kilometra, prej Prishtinës deri në Prekaz, por i ka ndal policia dhe i ka kthy”, shpjegon Jeta Xharra, në një video që po qarkullon në rrjete.
Xharra e përshkruan këtë si protestën më origjinale, autoktone që është bërë ndonjëherë, e që nuk është përsëritur më kurrë.
Dy vende, dy kohë të ndryshme, por e njëjta histori

Sot, në Gaza, ndihmat humanitare sërish ndalohen para se të arrijnë tek njerëzit e uritur. Qindra njerëz kanë humbur jetën nga uria e shkaktuar nga Izraeli, përfshirë shumë fëmijë, përveç më shumë se 60 mijë të vrarëve nga sulmet izraelite.
Si gratë e Prishtinës që ishin nisur me bukë në dorë drejt Prekazit, ashtu disa anije me aktivistë nga mbarë bota u nisën për ta thyer bllokimin izraelit. Por, siç i ndaloi Serbia gratë shqiptare në atë kohë, edhe anijet e nisura drejt Gazës u ndaluan nga Izraeli në ujërat ndërkombëtare. /VOXAL/
