A duhet që prindi me fëmijën të sillet si shok?
Koncept familjar që është përhapur shumë në mesin e familjeve tona, e që shpesh shumë prindër pretendojnë që fëmijët e tyre t’i bëjnë si shokë në aspektin e sjelljes ndaj tyre, është i gabuar dhe nuk duhet të praktikohet, sugjeron kështu psikoterapeuti Migjen Amzai. Sipas tij, në fushën mjekësore psikologjike ky term nuk ekziston. Prindi duhet të ketë emocione ndaj fëmijës, duhet t’i shpjegohet, por asesi t’i arsyetohet. Prindi duhet të qëndrojë në vendin e tij dhe fëmija duhet të ketë pozicionin e tij në familje.
“Mendoj që nuk ka koncept të tillë, ‘Fëmija është shoku im’. E kam thënë disa herë, prindërit e përdorin këtë për t’i ikur përgjegjësive, sidomos babai me djalin. Nuk ka parim të tillë që fëmija është shok me prindin e vet. Sigurisht do të hapemi, do të komunikojmë. Një gjë është te prindi, ata arsyetohen shumë!? Ky është gabimi. Prindi nuk arsyetohet për aksionet e veta, sepse fëmija duhet të marrë sigurinë që ky e ka për të mirën tonë, nëna e ka për të mirën time. Prindi sqaron, por nuk arsyeton. Në momentin e parë që ti i arsyetohesh fëmijës tënd, arrin një nivel të njëjtë përgjegjësie. Ti nuk mund të arsyetohesh: ‘Përse e paguam rrymën shumë shtrenjtë këtë muaj?’ Sepse fëmija, adoleshenti, fillon merr faj! ‘Përse unë nuk jam pjesë e kësaj?!’ Prandaj sot ka një çarje në mes adoleshentëve dhe prindërve, pikërisht për këtë gjë”, shprehet për VOXAL psikoterapeuti Migjen Amzai.
Ai kujton se është absurde që fëmija t’i japë, për shembull, 500 denarë dhe nesër t’ia kërkosh si borgj, dhe anasjelltas. Këtë prindi nuk mund ta bëjë me fëmijën, e as fëmija me prindin.
“Parimet janë ato që e mbajnë njeriun në jetë, nuk janë emocionet. Emocionet janë mënyrë se si e përjeton dhe si e shijon jetën, por jo që të mbajnë në jetë. Sot, për fat të keq, janë ato emocione që dominojnë në raporte prind–fëmijë. Duhet t’ia kuptosh emocionet, sigurisht duhet t’ia shprehësh emocionet. Emocionet kanë kuptim me fakte, faktet kanë kuptime të vërteta dhe e vërteta duhet të dëgjohet nga prindi”, shprehet Amzai.
Sipas tij, të vërtetën duhet t’ua themi fëmijëve, qoftë edhe për pyetje bizare, qoftë edhe për atë se si kemi ardhur ne në jetë. /VOXAL/