Nënpresidenti Vance konfirmon se SHBA-ja dhe Britania kanë “mosmarrëveshje” mbi politikën ndaj Gazës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripohuan kundërshtimin e tyre ndaj njohjes së një shteti palestinez, duke e përgatitur terrenin për diskutime diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, e cila së fundmi mori vendimin për ta njohur shtetësinë palestineze, transmeton Anadolu.
Gjatë një vizite në Britani, nënpresidenti amerikan JD Vance tha se çështja do të jetë pjesë e bisedimeve me Sekretarin e Jashtëm britanik David Lammy.
“Sigurisht, Mbretëria e Bashkuar do ta marrë vendimin e saj. Ne nuk kemi plane për të njohur një shtet palestinez”, tha Vance në “Chevening House” në Kent.
“Nuk e di çfarë do të nënkuptonte realisht njohja e një shteti palestinez, duke pasur parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje. Dhe ajo që presidenti e ka bërë shumë të qartë është se ne kemi dy qëllime shumë të thjeshta për momentin në lidhje me situatën në Izrael dhe Gaza”, shtoi ai.
“Së pari, duam të sigurohemi që Hamasi të mos mund të sulmojë më civilë izraelitë të pafajshëm, dhe mendojmë se kjo duhet të arrihet përmes çrrënjosjes së Hamasit”, tha Vance.
Së dyti, shtoi ai, “presidenti është thellësisht i prekur nga pamjet e tmerrshme të krizës humanitare në Gaza. Kështu që duam të sigurohemi që ta zgjidhim atë problem”.