Flamingot pushtojnë arat me oriz në veri të Italisë, dëmtojnë 90% të prodhimit
Dhjetëra flamingo po zbarkojnë në arat me oriz në Italinë verilindore, duke shkaktuar shqetësim të madh te fermerët, të cilët ankohen për dëme serioze në prodhim.
Flamingot janë një prani relativisht e re në krahinën e Ferrarës, midis Venecias dhe Ravenës. Ornitologët thonë se shfaqja e tyre lidhet me thatësirën në jug të Spanjës, që i ka detyruar të migrojnë drejt vendeve të tjera si Italia, për të kërkuar vende të përshtatshme për fole.
Edhe pse zogjtë nuk ushqehen me bimët e orizit, ata shqetësojnë rëndë ekosistemin e arave duke përzier me këmbët e tyre kanalet me ujë për të gjetur molusqe, alga ose insekte në ujin e cekët. Orizi bëhet një ‘dëmtim anësor’, shkruan Associated Press.
Për ta mbrojtur prodhimin, fermerët kanë filluar të patrullojnë ditë e natë për të trembur flamengot, duke përdorur boritë e makinave, duke rrahur fuçi apo duke aktivizuar mini-kanonë me gaz që prodhojnë zhurma të forta. Por zogjtë thjesht fluturojnë nga një arë në tjetrën.
Një fermer i tha agjencisë AP se ka pësuar humbje deri në 90% në disa prej parcelave të tij. “Kjo është diçka që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë”, tha ai.
Ndërkohë, ornitologët sugjerojnë mënyra më të buta për t’i larguar flamingot, si mbjellja e pemëve ose shkurreve rreth arave të orizit.
Një alternativë tjetër është ulja e nivelit të ujit në fushë nga 30 cm në 5-10 cm, mjaftueshëm për rritjen e orizit, por jo tërheqëse për flamingot. Syri.net-Protothema