Mickoski: Në Shkollën e Mesme të Policisë do të ketë paralele në gjuhën shqipe
Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfirmuar se në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji” do të hapen paralele ku mësimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe, si dhe në gjuhë të tjera, nëse plotësohen kushtet e nevojshme.
Ai tha se nxënësit e regjistruar dhe prindërit e tyre nuk duhet të kenë shqetësime lidhur me organizimin e mësimit.
“Po, absolutisht, nuk ka asnjë problem këtu. Natyrisht, nëse plotësohen kushtet, këtë vit do të ketë paralele ku mësimet do të ndiqen në shqip. Nuk duhet të ketë asnjë sfidë për asnjë nga nxënësit e regjistruar, as për prindërit e tyre”, deklaroi Mickoski.
Duke folur për procesin e regjistrimit, kryeministri tha se interesimi i nxënësve nga komunitetet jomaqedonase ka qenë relativisht i ulët. Sipas të dhënave që ai prezantoi, nga rreth 453 nxënës të regjistruar, 41 nxënës me përkatësi etnike jomaqedonase kanë kaluar filtrin e parë.
Mickoski hodhi poshtë pretendimet se procesi mund të lidhet me segregacion etnik, duke theksuar se kriteret e vendosura vlejnë për kandidatët dhe lidhen me standardet që duhet të përmbushin nxënësit e kësaj shkolle.
“Nga gati 453 nxënës të regjistruar në shkollën e mesme, 41 në filtrin e parë janë me origjinë etnike jo-maqedonase. Pra, interesi është i ulët. Kjo nuk ka të bëjë me asnjë lloj segregacioni etnik”, tha Mickoski.
Sipas tij, një nga kushtet bazë ka qenë sjellja shembullore dhe mos të kenë mungesa të pajustifikuara në mësim, kritere të cilat ai i ndërlidhi me standardet që zbatohen në vendet anëtare të NATO-s.
Fillimisht ishte parashikuar që në shkollë të pranoheshin 200 nxënës. Megjithatë, Mickoski bëri të ditur se Qeveria ka vendosur të zgjerojë numrin e të pranuarve dhe të mundësojë regjistrimin e të gjithë kandidatëve që kanë kaluar filtrin e parë dhe kanë plotësuar kriterin e sjelljes shembullore.
Në këtë mënyrë, sipas kryeministrit, të gjithë nxënësit që i kanë përmbushur kushtet fillestare do të kenë mundësi të vazhdojnë shkollimin në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”./VOXAL/