Eksodi i të rinjve po e zbraz Maqedoninë e Veriut: Mbi 22 mijë banorë më pak çdo vit
Maqedonia e Veriut po përballet me ‘eksod’ të vazhdueshëm të largimit të rinisë, i cili nxitet kryesisht nga pagat e ulëta, mundësitë e kufizuara për punësim dhe mungesa e perspektivës. Largimi i tyre po kthehet në sfidë serioze demografike dhe po prek edhe planifikimin e politikave shtetërore. Sipas Strategjisë së re të rishikuar për Zhvillim Rajonal e RMV-së për periudhën 2021–2031, çdo vit, vendi mund të humbasë deri në 22.000 banorë. Anëtarësimi i afërt në Bashkimin Evropian do të mund të ndihmonte në ngadalësimin e rënies së popullsisë, si dhe do të përmirësonte pozicionin e vendit në procesin e integrimit evropian, shkruan Portalb.mk.
Çfarë i shtyn të rinjtë të largohen?
Rrezarta Iseni thotë se kushtet ekonomike dhe vështirësitë për të gjetur punë e bëjnë të mendojë për largimin. Megjithatë, ajo beson se edhe në Maqedoninë e Veriut ka mundësi për të ndërtuar një të ardhme.
“Mundësia për të hapur një biznes dhe nëse një i ri do mundet të arrijë edhe këtu. Rrjetet sociale si Tiktok dhe Instagram, po ndikojnë që të rinjtë të ndjekin luksin dhe vendosin të largohen nga shteti”, tha ajo.
Rrezarta thotë se të ardhmen e saj e sheh më shumë në vendin e saj dhe u bën thirrje të rinjve të jenë më këmbëngulës.
“Çdo kush e ka zgjedhjen e tij se ku dëshiron të jetojë dhe punojë, por sigurisht që më mirë kishte qenë këtu. Pasi të suksesshëm mund të jemi edhe këtu, vetëm kërkon angazhim. Të rinjve u kisha kërkuar të jenë këmbëngulës në kërkim të fatit të tyre”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, sipas studentes Amra Osmani shkaqet që dërgojnë deri te emigrimi i të rinjve janë mungesa e cilësisë së arsimimit, mungesa e vendeve të punës, humbja e shpresës dhe mos dëgjimi i zërit të tyre.
Ajo për Portalb.mk, tha se shumë të rinj e shohin vetën e tyre të aftë dhe të talentuar për të zhvilluar idetë e tyre në vendin e tyre, por nuk kanë mbështetje të duhur nga institucionet e vendit dhe atyre ju humb shpresa. Amra foli edhe për ndikimin e rrjeteve sociale dhe paraqitja e luksit në rrjete socilae është një faktor tjetër i cili ndikon në emigrimin e të rinjve.
“Rrjetet sociale gjithashtu kanë një rol të rëndësishme në emigrimin e të rinjve, shpesh ne shohim video në rrjetet sociale, nga udhëtime luksoze dhe makina të shtrenjta dhe udhëtime të ndryshme. Kjo i dërgon të rinjtë të beosjnë se kjo e ardhmja i pret nëse edhe ata largohen jashtë vendit. Në rrjetet sociale na shfaqet vetëm një pjesë e vogël e realitetit. Të rinjtë nuk shohin perspektiv në vendin e tyre dhe kur humbin shpresën i nxitë të largohen nga vendi i tyre”, deklaroi ajo.
A e shohin të ardhmen e tyre këtu dhe çfarë do t’i bindte të qëndronin?
Por, Delvina Sejdiu e sheh ndryshe këtë fenomen, ajo thotë se për shumë të rinj pyetja nuk është më nëse do të largohen, por kur.
Sipas saj, mungesa e mundësive dhe perspektivës ua humb të rinjve shpresën dhe krijon ndjesinë se puna e tyre nuk vlerësohet.
“Këta faktorë, thekson ajo, ua humbin të rinjve shpresën dhe krijojnë ndjesinë se nuk vlerësohen dhe nuk shpërblehen për atë që janë dhe për atë që bëjnë”, u shpreh Delvina.