AKADEMIA SHQIPTARE GATI PËR VITIN E RI SHKOLLOR!
Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane (QKSHA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur zyrtarisht aktivitetet për vitin e ri shkollor, duke sjellë risi në programin dhe sistemin mësimor nën emërtimin e ri “Akademia Shqiptare”.
Gjatë fundjavës, drejtori i Akademisë, Alban Biba, së bashku me specialistin e edukimit, Burim Ameti, zhvilluan takimin e parë me mësimdhënësit e shkollës. Në këtë takim u diskutuan hollësisht plani mësimor, metodat e reja të mësimdhënies dhe organizimi i përgjithshëm për vitin e ri shkollor, me qëllim ngritjen e cilësisë së mësimnxënies për fëmijët e diasporës shqiptare në ShBA.
Një segment i rëndësishëm i përgatitjeve këtë vit ishte edhe trajnimi për CPR (Reanimim Kardiopulmonar), i zhvilluar nga trajnerë të licencuar të Kryqit të Kuq Amerikan. Ky trajnim pajisi mësimdhënësit me njohuri dhe aftësi jetike për të reaguar në raste emergjente.
Viti i ri shkollor do të nisë zyrtarisht të shtunën, më 12 shtator, me një program të veçantë. Ndërkohë, drejtoria njofton se kanë mbetur edhe pak ditë në dispozicion për përfundimin e afatit të regjistrimit të nxënësve.
Me këtë nisje, “Akademia Shqiptare” në ShBA synon të hapë një kapitull të ri në mësimin, edukimin dhe ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare ndër breza në diasporë./VOXAL/