31 zjarr në hapësira të hapura në vend, 5 ende aktive
Gjithsej 31 zjarr në hapësira të hapura janë regjistruar në vend gjatë natës së 28 dhe 29 gushtit, deri në orën 07:30, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza.
Nga numri i përgjithshëm, 5 zjarre janë ende aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 25 janë shuar.
Zjarret aktive janë në territorin e komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, në zonën Morane–Vrtekicë–Ramni Gabër, me degëzim drejt fshatit Paligrad dhe në drejtim të Presllapit. Në këtë zonë po digjet pyll i përzier.
Zjarr aktiv është edhe në Komunën e Sarajit, në fshatin Kopanicë, me përhapje drejt fshatit Radushë, ku janë përfshirë vegjetacion i ulët dhe pyll.
Në Komunën e Çashkës, zjarri mbi fshatin Nezhilovë, në lokalitetin Svatovi, ka përfshirë vegjetacion të ulët dhe drunj të veçuar.
Në Komunën e Jegunovcës, zjarri në fshatin Kopancë vazhdon të jetë aktiv në zonë me pyll të përzier, ndërsa në Komunën e Prilepit aktiv mbetet zjarri në fshatin Crnilište, ku janë përfshirë vegjetacion i ulët dhe pyll.
Një zjarr është vënë nën kontroll në territorin e komunave të Gostivarit dhe Makedonski Brodit. Zjarri ka nisur në fshatin Trnovo të Gostivarit dhe është përhapur drejt fshatrave Bitovë, Zagrad dhe Strajane në Makedonski Brod. Në këtë zonë janë përfshirë pyll i ulët, vegjetacion, kullota dhe fier.
Ndërkohë, QMK-ja njoftoi se 25 zjarre janë shuar. Ato janë regjistruar në disa komuna, përfshirë Butelin, Sarajin, Strumicën, Vasilevën, Ohrin, Plasnicën, Makedonski Brodin, Prilepin, Krushevën, Berovën, Dellçevën, Shtipin, Bërvenicën, Tetovën, Tearcën dhe Gostivarin.
Mes zjarreve të shuara ka pasur raste në deponi të egra, zona me mbeturina, vegjetacion të ulët, pyje dhe hapësira oborri. Në territorin e Tetovës janë shuar zjarret në fshatrat Mala Reçicë dhe Falishë, ndërsa në Komunën e Gostivarit janë shuar zjarret në zonën e fshatrave Lopushnik dhe Belovishtë.