Gjorgjievski pas stuhisë në Shkup: Raportoni dëmet, ekipet do të jenë në terren gjatë gjithë natës
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se pas stuhisë së fuqishme që goditi Shkupin, Shtabi i Krizave dhe të gjitha shërbimet kompetente janë mobilizuar dhe po intervenojnë në terren për të përballuar pasojat.
Ai bëri të ditur nëpërmjet një statusi në Fejsbuk, se Qyteti i Shkupit është në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën për Menaxhimin e Krizave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, EVN-në, Brigadën Kundër Zjarrit dhe institucionet e tjera kompetente, ndërsa ekipet do të vazhdojnë punën gjatë gjithë natës.
“Ekipet e Qytetit të Shkupit do të mbeten në terren gjatë gjithë natës dhe do të intervenojnë në çdo lokacion ku do të ketë nevojë. Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për ndihmë, duan të paraqesin dëme ose ndonjë situatë tjetër urgjente, mund të telefonojnë në numrin 112 ose në +389 78 207 687”, thuhet në njoftimin e Gjorgjievskit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë dëmet e shkaktuara nga stuhia dhe të bashkëpunojnë me shërbimet në terren, duke apeluar njëkohësisht për kujdes dhe qetësi.
“Apeloj te të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të qetë, t’i ndjekin rekomandimet e institucioneve kompetente dhe të bashkëpunojnë me shërbimet në terren. Shërbimet janë të mobilizuara. Ekipet janë në terren. Qytetarët nuk janë vetëm”, theksoi Gjorgjievski në statusin e tij në Fejsbuk./VOXAL/