Targat me ngjyra ulin për 70% keqpërdorimin e veturave zyrtare!
Vendosja e targave me ngjyra për automjetet zyrtare ka dhënë rezultate konkrete, duke ulur keqpërdorimet me rreth 70 për qind, deklaroi drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski.
Duke folur në emisionin “Tema e ditës” në MRT, Tomovski tha se masa ka ndikuar ndjeshëm në përdorimin më të përgjegjshëm të automjeteve shtetërore.
“Jam i kënaqur. Mund të them se rreth 70 për qind e keqpërdorimeve janë çrrënjosur. Jam i sigurt se ende ka raste individuale, kryesisht në nivelet më të ulëta, por shpresoj se qytetarët do të vazhdojnë t’i denoncojnë parregullsitë”, tha Tomovski.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të fotografojnë automjetet zyrtare nëse dyshojnë se po përdoren për qëllime private dhe denoncimet t’i dërgojnë në numrin e telefonit ose në adresën elektronike të publikuar nga institucioni.
“Prona shtetërore është pronë e qytetarëve dhe duhet të përdoret me përgjegjësi”, theksoi Tomovski.
Tomovski njoftoi gjithashtu se Shërbimi ka nisur përgatitjet për një pilot-projekt për blerjen e tri veturave elektrike.
Automjetet do të përdoren nga shërbimet e korrierëve për transportimin e dokumenteve ndërmjet institucioneve shtetërore në Shkup.
“Aktualisht po bëjmë hulumtim të tregut. Plani është të blejmë tri vetura elektrike që do të përdoren për shpërndarjen e përditshme të dokumenteve. Përmes këtij pilot-projekti do të shohim nëse automjetet elektrike janë zgjidhje praktike, duke pasur parasysh infrastrukturën ekzistuese të mbushjes në vend”, deklaroi ai.
Duke folur për pronën shtetërore, Tomovski tha se pas marrjes së detyrës kishin konstatuar probleme serioze me dokumentacionin.
Sipas tij, disa objekte shtetërore, përfshirë edhe vila përfaqësuese, nuk kishin fare fletëpronësi.
“Nuk e kam të qartë pse askush më herët nuk ka vendosur t’i legalizojë këto objekte. Kishte procedura që me vite ishin bllokuar në labirintet institucionale, por kur ka vullnet, ka edhe zgjidhje”, tha Tomovski.
Ai shtoi se janë bërë ndryshime ligjore, me të cilat prona shtetërore që përdoret nga Shërbimi është vendosur në dispozicion të institucionit, ndërsa pronësia mbetet e shtetit.
Kjo, sipas tij, ka mundësuar nisjen e përgatitjeve për rinovimin e objekteve, një pjesë e të cilave janë në gjendje të keqe dhe kanë probleme me çatitë.
“Sot mund të them se e gjithë prona me të cilën disponon Shërbimi ka dokumentacion të rregulluar dhe është vënë në funksion të shtetit”, deklaroi Tomovski.