Ish-drejtori i Onkologjisë, Nino Vasev, u lirua nga paraburgimi pasi gjykata pranoi lirimin me kusht
Ish-drejtori i Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, do të mbrohet në liri pasi Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup pranoi një garanci të ofruar nga mbrojtja e tij dhe ia hoqi masën e paraburgimit, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit të Gjykatës, për Vasevin u caktua garanci prej 183,981 eurosh në favor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e siguruar me hipotekë mbi pasuri të paluajtshme. Njëkohësisht, u pranua një garanci prej 348,049 eurosh për ish-drejtorin ekonomik të Klinikës, Nehat Nuhi, gjithashtu e siguruar me hipotekë mbi pasuri të paluajtshme.
Vendimi u mor pas mendimit pozitiv nga Prokuroria Publike kompetente, ndërsa ndaj të dy të pandehurve u vendosën masa paraprake. Ata nuk do të lejohen të largohen nga zona e Qytetit të Shkupit, do të jenë të detyruar të paraqiten në Gjykatë një herë në muaj, dhe dokumentet e tyre të udhëtimit janë konfiskuar përkohësisht dhe ndalohet t’u lëshojnë dokumente të reja për kalimin e kufirit shtetëror.
Duke pasur parasysh se Prokuroria hoqi dorë nga e drejta e ankesës, dhe hipotekat e ofruara tashmë janë regjistruar në Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, vendimet kanë marrë formë të prerë dhe të pandehurit janë liruar nga paraburgimi. Me këtë vendim, Vasev lirohet nga paraburgimi ku kaloi rreth një vit.
Vasev dhe Nuhi janë ndër të pandehurit në rastin “Onkologji”, i cili ka të bëjë me funksionimin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, ata akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe përvetësim në shërbimin që lidhet me prokurimin publik të terapisë onkologjike, prokurim të ilaçeve pa bazë ligjore dhe shlyerje fiktive të borxheve për ilaçe, të cilat, sipas Prokurorisë, i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare buxhetit. Gjykimi në këtë rast vazhdon, dhe të pandehurit do të mbrohen në liri në procedurën e mëtejshme.
Rasti “Onkologjia”, i cili shkaktoi reagime të stuhishme në publik, u nda nga Prokuroria në dy akuza, njëra prej të cilave “Onkologjia 1”, ku Vasev dhe dy onkologë të tjerë po gjykohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve, ndërsa në tjetrën, “Onkologjia 2”, kjo për të cilën flitet, ku dy ish-drejtorët VaseV dhe Nuhi po ndiqen penalisht për vepra të zgjeruara penale – keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim në detyrë.