Para se të paguani online, kontrolloni këtë listë të tregtarëve të verifikuar!
Asociacioni për E-Tregti i Maqedonisë (AETM) ka publikuar versionin më të ri të Regjistrit të tregtarëve online, duke u bërë thirrje qytetarëve që para çdo blerjeje në internet të kontrollojnë nëse shitësi është i regjistruar dhe i verifikuar.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore, gjatë vitit 2025 në vend kanë funksionuar 1.829 pika shitjeje për tregti elektronike, ndërsa 1.396 prej tyre kanë qenë aktive, duke realizuar të paktën një transaksion gjatë vitit.
Regjistri i AETM-së përfshin 1.374 dyqane online aktive të ndara në 25 kategori. Më të përfaqësuara janë dyqanet për kozmetikë dhe produkte bukurie, veshmbathje dhe aksesorë mode, ushqim dhe pije, elektronikë, turizëm, shërbime digjitale dhe arsim.
Të dhënat tregojnë se tregtia elektronike në Maqedoninë e Veriut po vazhdon të zgjerohet përtej kategorive tradicionale, me rritje të ndjeshme edhe në sektorët e shërbimeve, turizmit, arsimit dhe produkteve digjitale.
Sipas analizës së AETM-së, gjatë vitit 2025 vlera totale e transaksioneve online arriti në 950 milionë euro, ose 32 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak. Nga kjo shumë, 522 milionë euro kanë përfunduar te tregtarët online vendorë.
Kryetarja e AETM-së, Nina Angelovska Stankov, theksoi se regjistri ndihmon në identifikimin e tregtarëve aktivë dhe krijon një pasqyrë më të qartë për tregun vendor të tregtisë elektronike.
Nga asociacioni theksojnë se regjistri është një mjet i rëndësishëm për mbrojtjen e konsumatorëve, pasi një pjesë e konsiderueshme e mashtrimeve online kryhen nga shitës të paregjistruar, kryesisht përmes rrjeteve sociale.
Qytetarët mund të kontrollojnë nëse një shitës është subjekt juridik i regjistruar dhe nëse ofron pagesa online përmes bankave në regjistrin publik të AETM-së: https://ecommerce.mk/badge/company_types/e-trgovci/
AETM njofton se për përditësimin e regjistrit janë përdorur edhe mjete të bazuara në inteligjencë artificiale për verifikimin e aktivitetit dhe kategorizimin e tregtarëve online.