Në Kumanovë hapet tregu i parë i veturave të përdorura në Maqedoninë e Veriut
Kumanova do të bëhet me tregun e parë të organizuar të veturave të përdorura në Maqedoninë e Veriut. Hapja zyrtare e tregut do të bëhet të shtunën në Kojnare të Poshtme, ndërsa ai do të funksionojë çdo fundjavë.
Nga Ndërmarrja Publike “Tregu i Gjelbër” në Kumanovë bëjnë të ditur se tregu do të jetë i dedikuar për shitjen dhe ekspozimin e veturave të përdorura, me kapacitet prej 200 deri në 300 automjete.
Drejtori i përkohshëm i ndërmarrjes, Suad Zejnullahi, tha se bëhet fjalë për tregun e parë të këtij lloji në vend.
“Si komuna më e madhe në rajon, ne kemi nevojë për një shërbim të tillë. Kemi kapacitet njerëzor dhe pa investime të mëdha do të jemi në gjendje t’ua ofrojmë këtë shërbim qytetarëve. Ky do të jetë tregu i parë i automobilave në rajon”, deklaroi Zejnullahi.
Sipas paralajmërimeve, tregu do të punojë çdo të shtunë nga ora 07:00 deri në 15:00, ndërsa interes tashmë kanë shprehur qytetarë dhe pronarë privatë që dëshirojnë të shesin veturat e tyre të përdorura.
Për nevojat e tregut është rregulluar edhe parking me kapacitet për rreth 1.200 automjete.