Vrasës serb me pagesë kapet në Shkup, planifikonte likuidime për klane mafioze
Tre persona, dy shtetas serbë dhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut, janë arrestuar në një aksion policor në Shkup nën dyshimin se po planifikonin një vrasje me pagesë. Autoritetet kanë bërë të ditura inicialet e shtetasit serb S.M. (42), i cili dyshohet se kishte rolin kryesor në organizimin e likuidimit të porositur në Shkup.
Sipas policisë serbe, ai është gjetur dhe arrestuar në një aksion të përbashkët të koordinuar mes policisë maqedonase dhe asaj serbe. Lokalizimi i tij ka qenë rezultat i një shkëmbimi afatgjatë të informacioneve operative mes Shërbimit për Luftimin e Krimit të Serbisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
I dyshuari është zbuluar në një “strehë” në kryeqytet, ku gjatë bastisjes policia ka gjetur arsenal armësh dhe pajisje taktike. Mes sendeve të konfiskuara janë një pistoletë e tipit “CZ” me kornizë të plotë, një thikë ushtarake dhe uniformë taktike me ngjyrë të zezë.
Hetimet kanë konfirmuar se S.M. kishte hyrë ilegalisht në Maqedoninë e Veriut, ndërsa tek ai është gjetur edhe një letërnjoftim serb në emër të një personi tjetër, të cilin e përdorte për identitet të rremë.
Nga MPB thonë se informacioni fillestar ka ardhur nga Agjencia për Siguri Kombëtare, ndërsa aksioni është udhëhequr nga prokuror për krim të organizuar.
“Pas urdhrave të siguruar nga gjykata janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, ku janë gjetur drogë, para dhe telefona mobilë, ndërsa janë privuar nga liria tre persona, prej të cilëve dy shtetas serbë dhe një shtetas maqedonas. Pas dokumentimit të rastit do të parashtrohen kallëzimet përkatëse”, njoftojnë nga MPB.
Sipas njohurive operative të hetuesve, bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal që kishte detyrë konkrete të kryente një likuidim në Shkup. Organet hetimore po punojnë për identifikimin e cakut të mundshëm, si dhe të personave që i kanë ofruar mbështetje logjistike të dyshuarit gjatë qëndrimit të tij në Maqedoninë e Veriut./VOXAL/

