Aksion policor kundër grupit kriminal për botoks dhe fillerë ilegalë, dyshime për ryshfet dhe falsifikim
Mbrëmjen e sotme, nën udhëheqjen e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, policia po zhvillon një aksion për goditjen e një grupi kriminal të organizuar të përfshirë në kryerjen e veprave penale “bashkim kriminal”, “shkelje të të drejtave të pronësisë industriale” dhe “përdorim i paautorizuar i firmës së tjetrit”, si dhe “marrje ryshfeti” dhe “ndihmë”.
Në kuadër të aksionit, bazuar në urdhra të siguruar paraprakisht nga Gjykata Themelore Penale, po kryhen kontrolle në disa lokacione në Shkup, Strumicë dhe Manastir, ku janë arrestuar më shumë se 10 persona. Një pjesë e tyre janë të punësuar si mjekë në klinikat e Shkupit, pronarë të ordinancave dermatologjike dhe organizatorë të transportit dhe shitjes së mallrave të futura ilegalisht me status të barnave dhe pajisjeve mjekësore, pa miratim nga organi kompetent, pa udhëzime dhe pa etiketa përkatëse.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar sasi të mëdha barnash dhe pajisjesh mjekësore, një automjet luksoz, mjete financiare, parfume, telefona dhe sende të tjera.
Jozyrtarisht, mjetet mjekësore të futura ilegalisht janë botoks dhe fillerë, me qëllim përdorimin e tyre për ndërhyrje estetike, por nuk ka informacione nëse janë përdorur te pacientët dhe nëse kanë shkaktuar dëm.
Në këtë aksion janë përfshirë edhe mjekë nga SPQ “8 Shtatori” dhe nga Klinika e Dermatologjisë.