Babë e dy bij arrestohen për plagosjen në varrezat e Butelit
Një përplasje që nisi si paralajmërim verbal përfundoi me dhunë dhe të plagosur në varrezat e Butelit në Shkup, përcjellë VOXAL.
Dy punonjës të ndërmarrjes SH.A. “Butel”, pasi kishin vërejtur tre persona pranë një varri dhe i kishin njohur si të përfshirë më herët në vjedhje, i paralajmëruan se do të thërrisnin policinë. Por situata doli jashtë kontrollit.
Sipas policisë, tre personat – babë e dy djem – reaguan me dhunë, duke sulmuar punonjësit me pistoletë me gaz dhe mjete të forta, përfshirë grusht metalik dhe thikë.
Si pasojë, dy të punësuarit, E.D. (51) dhe M.D. (54), mbetën të plagosur dhe u dërguan për ndihmë mjekësore në ISHP “Shën Naum Ohridski”, ku u konstatuan lëndime trupore.
Pak orë më vonë, policia e SPB Shkup ndërhyri dhe arrestoi të dyshuarit – A.M. (48) dhe djemtë e tij J.M. (26) dhe B.M. (27).
Ata janë ndaluar në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit pritet të përballen me kallëzim penal për sulmin./VOXAL/