Ish prokurorja speciale Ristovska jep dorëheqje!
Ish-prokurorja speciale dhe prokurorja publike Lençe Ristoska ka njoftuar dorëheqjen e saj nga funksioni, duke e arsyetuar këtë vendim me, siç thotë ajo, goditjet ndaj integritetit të saj profesional, mungesën e mbështetjes institucionale dhe tërheqjen e autorizimeve për përfaqësim në lëndë kyçe që ndodhen në fazë përfundimtare.
Në letrën e njoftimit për dorëheqje, Ristoska shkruan se funksionin e prokurores gjithmonë e ka kuptuar si “thirrje” dhe mundësi për të kontribuar në përmirësimin e sistemit, shoqërisë dhe jetës së qytetarëve. Ajo thekson se gjatë karrierës së saj ka punuar në raste që, sipas saj, kanë prekur drejtpërdrejt cenimin e vlerave dhe parimeve shoqërore.
Ristoska në letër flet edhe për presione dhe pengesa gjatë punës në raste të profilit të lartë, duke përmendur ndikime mbi dëshmitarë, ushtrim presionesh, ndryshim të zgjidhjeve ligjore, mbajtje të lëndëve në sirtar dhe vjetërsim të tyre. Sipas saj, të gjitha këto nuk e kanë ndalur që publikisht të kritikojë gjendjen në gjyqësor, pavarësisht pasojave që mund të kishin për karrierën e saj.
Ajo rikujton se përpjekjet e saj ka dashur t’i kurorëzojë përmes kandidaturës për prokurore publike të shtetit, me vizion të qartë për një institucion që, sipas saj, duhet të udhëhiqet nga interesi publik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve.
Megjithatë, si pikë kthese ajo përmend zhvillimet e kësaj jave, kur Këshilli i Prokurorëve Publikë, sipas saj, e hodhi poshtë parashtresën e saj për sulm ndaj integritetit dhe pavarësisë, ndërsa prokurori publik i shtetit mori vendim për t’ia tërhequr autorizimet për përfaqësim në lëndë kyçe, përfshirë këtu rastet të njohura si Talir1 dhe 2. Ristoska vlerëson se këto vendime e dobësojnë seriozisht pozitën e prokurorisë dhe sjellin rreziqe konkrete për epilogun e rasteve që synojnë korrupsionin dhe krimin e lartë.
Sipas saj, këto veprime janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vizionin për një prokurori që punon jashtë ndikimeve politike, mbron profesionistët e saj dhe e mbron interesin publik pa selektivitet. Pikërisht për këtë arsye, Ristoska thotë se nuk sheh më hapësirë për të vepruar në përputhje me parimet e saj, prandaj edhe ka dorëzuar dorëheqjen, raporton VOXAL.
Ja letra e plotë.
Të nderuar,
Funksionin e prokurorit publik gjithmonë e kam kuptuar si thirrje dhe mundësi për të kontribuar në përmirësimin e sistemit, të shoqërisë dhe mbi të gjitha të jetës së qytetarëve. Prandaj, gjatë karrierës sime, sfidë e veçantë për mua ka qenë puna në raste që ndikojnë më së drejti në cenimin e vlerave dhe parimeve shoqërore.
Puna në raste të profilit të lartë krijon edhe armiq të profilit të lartë — të tillë që e përdorin fuqinë, ndikimin dhe lidhjet e tyre për t’i ikur përgjegjësisë dhe për t’ju larguar nga synimi juaj. Kjo nënkuptonte pengesa në nivele të ndryshme, institucionale dhe personale. Gjatë viteve, keni qenë dëshmitarë të shumë prej këtyre ngjarjeve: ndikim mbi dëshmitarë, ushtrim presionesh, ndryshim të zgjidhjeve ligjore, mbajtje të lëndëve në sirtar dhe vjetërsim të tyre. E gjithë kjo nuk më pengoi të qëndroj në përpjekjet e mia, prandaj publikisht i kam kritikuar gjendjet në drejtësi, pa marrë parasysh kontekstin shoqëroro-politik dhe pa kalkulime për pasojat ndaj karrierës sime.
Të gjitha këto përpjekje desha t’i përmbyll nga një pozitë drejtuese përmes kandidaturës sime për prokurore publike të shtetit, me vizion të qartë, dije të grumbulluar dhe qëndrueshmëri të ndërtuar ndaj ndikimeve dhe presioneve. Besoja se kishte ardhur koha për një institucion, udhërrëfyes i të cilit do të ishte interesi publik, lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, si dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve.
Këtë javë, Këshilli i Prokurorëve Publikë e hodhi poshtë parashtresën time për sulm ndaj integritetit dhe pavarësisë sime, ndërsa prokurori publik i shtetit mori vendim për tërheqjen e autorizimeve për përfaqësim në lëndë kyçe që ndodhen në fazë përfundimtare. Konsideroj se këto vendime e dobësojnë seriozisht pozitën e prokurorisë publike dhe sjellin rreziqe konkrete për rezultatin e lëndëve që targetojnë korrupsionin e lartë dhe kriminalitetin.
Këto veprime janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vizionin për të cilin angazhohem, e ai është një prokurori që punon jashtë ndikimeve politike, i mbron profesionistët e saj dhe e mbron interesin publik në mënyrë konsekuente dhe pa përzgjedhje. Meqë nuk shoh hapësirë për punë, as në perspektivë se si do të mund të veproja në përputhje me parimet e mia, sot kam paraqitur dorëheqje nga funksioni i prokurores publike. Mirënjohje e sinqertë për të gjithë ata që e njohën dhe e mbështetën përkushtimin dhe luftën time.
Lençe Ristoska