Trump tha se po shqyrton daljen nga NATO, Starmer: NATO është aleanca më efikase, nuk do të përfshihemi në luftë me Iranin
Kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka cilësuar si “thjesht zhurmë” deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, se po konsideron të tërheqë SHBA nga NATO.
Trump, i cili gjithashtu pretendoi se Mbretëria e Bashkuar nuk ka flotë detare, kritikoi aleatët për mosbashkimin me SHBA në luftën kundër Iranit. Kur u pyet nga gazeta “Telegraph” nëse do të rivlerësojë anëtarësimin në Aleancë, Trump u përgjigj: “Oh po, do të thosha që kjo është tashmë jashtë çdo rivlerësimi”.
Ai shtoi se kurrë nuk ka qenë i impresionuar nga NATO-ja, duke e quajtur “tigër prej letre”, dhe shtoi se edhe presidenti rus, Vladimir Putin, e di këtë.
Duke iu përgjigjur këtyre komenteve, Starmer theksoi sot se NATO është aleanca më efikase ushtarake në histori, që ka ruajtur sigurinë për dekada, dhe se Britania mbetet e përkushtuar plotësisht ndaj saj.
“Pa marrë parasysh presionin mbi mua dhe të tjerët, pa marrë parasysh ‘zhurmën’, unë do të veproj në interes kombëtar britanik në çdo vendim që marr. Prandaj kam qenë absolutisht i qartë se kjo nuk është lufta jonë dhe nuk do të lejojmë të përfshihemi në të”, tha Starmer.
Ai shtoi se Britania duhet të ketë lidhje më të afërta me Evropën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke njoftuar një samit të ri për këtë qëllim.
Në intervistë, Trump kritikoi ashpër aleatët që refuzuan të dërgonin anije luftarake për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, e cila ka qenë e bllokuar nga Teherani për javë, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë. Presidenti amerikan shprehu zhgënjim, duke theksuar se mbështetja duhej të ishte automatike, ashtu si SHBA e kishte ndihmuar automatikisht Ukrainën.
Trump veçanërisht kritikoi Mbretërinë e Bashkuar për mospërfshirjen në luftën amerikano-izraelite kundër Iranit, duke sugjeruar se Flota Mbretërore nuk është e gatshme.
“Ju nuk keni as flotë. Jeni shumë të vjetër dhe keni pasur anije transporti që nuk punonin,” tha Trump. Ai gjithashtu kritikoi Starmer për politikën e tij energjetike, duke pretenduar se kryeministri fokusohet në turbina të shtrenjta ere që rrisin çmimin e elektricitetit.